Arbëri

Nekibe Kelmendi kujtohet si model i gruas së pathyeshme

Veprimtarja Nekibe Kelmendi është kujtuar në dhjetëvjetorin e vdekjes së saj si emblemë e gruas së pamposhtur e të pathyeshme.

Bashkëpartiakë të saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se Kelmendi s’ishte gjunjëzuar asnjëherë përkundër sfidave me të cilat qe përballur.

“Nekibe Kelmendi tashmë ka krijuar emrin e saj të merituar jo vetëm si një nga aktivistet e para të LDK-së, por edhe si profil i një njeriu që përkundër dhimbjes së madhe qe ia shkaktoj lufta duke iu vrarë nga regjimi serb bashkëshorti dhe dy djemtë, ajo nuk u ndal së punuari për formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës. Si veprimtare e hershme viteve 90-ta, si Ministre e Drejtësisë nuk kursej asgjë nga vetja për të mirën e vendit. Data e 19 qershorit 2021 mbush një dekadë nga ikja e saj fizike, dhe ne e përkujtojmë me pietet dhe nderimin më të lartë emrin dhe veprën e saj. Gjurmët, sakrifica dhe puna e saj tashmë janë një udhërrëfyes për ne që të ecim përpara duke mos harruar kurrë rrugën e vështirë të personaliteteve si Nekibe Kelmendi”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar Kelmendin si ndër intelektualet më të shquara të vendit dhe si veprimtare të paepur për pavarësinë e Kosovës.

“Si njëra ndër juristet e para në Kosovë, gjatë gjithë jetës së saj nuk reshti së punuari për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur. Si model i gruas së emancipuar dhe të guximshme, ajo e gëzoi respektin e të gjithëve për përkushtimin e saj për jetësimin e shtetit të Kosovës. Znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë, madje edhe atëherë kur fati tragjik i saj dhe i Kosovës, bëri që ajo të humbte bashkëshortin dhe dy djemtë. Këtë humbje ajo e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik. Ajo gjeti forcën që humbjen ta shndërronte në motivim për punë edhe më të madh për idealin e saj e të qytetarëve të saj. Ajo nuk u dorëzua para asnjë vështirësie. Shembulli i saj për ruajtjen e sistemit unik të gjyqësorit në Kosovë sot e kësaj dite mbetet njëri ndër shembujt e vyer për jetësimin e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë ajo duke shtuar se sot Kosovës i duhen “gra e burra të dinjitetshëm e me integritet sikur Nekibja.”