Veprimtarja Nekibe Kelmendi është kujtuar në dhjetëvjetorin e vdekjes së saj si emblemë e gruas së pamposhtur e të pathyeshme.
Bashkëpartiakë të saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se Kelmendi s’ishte gjunjëzuar asnjëherë përkundër sfidave me të cilat qe përballur.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Nekibe Kelmendi tashmë ka krijuar emrin e saj të merituar jo vetëm si një nga aktivistet e para të LDK-së, por edhe si profil i një njeriu që përkundër dhimbjes së madhe qe ia shkaktoj lufta duke iu vrarë nga regjimi serb bashkëshorti dhe dy djemtë, ajo nuk u ndal së punuari për formimin dhe konsolidimin e shtetësisë e Kosovës. Si veprimtare e hershme viteve 90-ta, si Ministre e Drejtësisë nuk kursej asgjë nga vetja për të mirën e vendit. Data e 19 qershorit 2021 mbush një dekadë nga ikja e saj fizike, dhe ne e përkujtojmë me pietet dhe nderimin më të lartë emrin dhe veprën e saj. Gjurmët, sakrifica dhe puna e saj tashmë janë një udhërrëfyes për ne që të ecim përpara duke mos harruar kurrë rrugën e vështirë të personaliteteve si Nekibe Kelmendi”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar Kelmendin si ndër intelektualet më të shquara të vendit dhe si veprimtare të paepur për pavarësinë e Kosovës.
“Si njëra ndër juristet e para në Kosovë, gjatë gjithë jetës së saj nuk reshti së punuari për ta mbrojtur të drejtën e Kosovës për të qenë e lirë dhe e pavarur. Si model i gruas së emancipuar dhe të guximshme, ajo e gëzoi respektin e të gjithëve për përkushtimin e saj për jetësimin e shtetit të Kosovës. Znj. Kelmendi dha shembullin e gruas së pathyeshme, e cila pavarësisht vështirësive dhe sfidave nuk u dorëzua asnjëherë, madje edhe atëherë kur fati tragjik i saj dhe i Kosovës, bëri që ajo të humbte bashkëshortin dhe dy djemtë. Këtë humbje ajo e shndërroi në mjet qëndrese e në mjet për bashkëveprim politik. Ajo gjeti forcën që humbjen ta shndërronte në motivim për punë edhe më të madh për idealin e saj e të qytetarëve të saj. Ajo nuk u dorëzua para asnjë vështirësie. Shembulli i saj për ruajtjen e sistemit unik të gjyqësorit në Kosovë sot e kësaj dite mbetet njëri ndër shembujt e vyer për jetësimin e shtetësisë së Kosovës”, ka thënë ajo duke shtuar se sot Kosovës i duhen “gra e burra të dinjitetshëm e me integritet sikur Nekibja.”