Arbëri

Një autobus me pelegrinë serbë s’lejohet të hyjë në Kosovë

Foto: Koha

Një autobus me mbi 50 persona nuk është lejuar të hyjë nga Serbia në Kosovë nga pika e Jarinjes në veri, ka mësuar KOHA.

Për këtë ka reaguar drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Ai ka thënë se pelegrinë serbë janë kthyer mbrapsht nga Policia e Kosovës. Petkoviq ka thënë se pelegrinët kishin planifikuar t’i vizitojnë disa nga tempujt e Kishës Ortodokse Serbe.

“Vizita e tyre ishte njoftuar te zyrtarët policorë sipas marrëveshjes dhe praktikave të mëhershme, duke konsideruar po ashtu nevojën që ata të përcillen me polici shkaku i sigurisë”, ka thënë Petkoviq.

Sipas tij, pelegrinët kanë planifikuar t’i vizitojnë varret e paraardhëseve të tyre, si dhe ta vizitojnë Manastirin e Deçanit. Edhe të shtunën e kaluar dy autobusë me mbi 80 persona nuk ishin lejuar të hynin në Kosovë.