Blerja e një pjese të madhe e produkteve jetike për qytetarë është bllokuar, për shkak se Qeveria e Kosovës ka 75 ditë që nuk e ka funksionalizuar Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ky institucion ka mbetur pa bord qysh nga fundi i marsit. Ligji nuk parasheh një rrethanë të tillë, por institucionet nuk guxojnë t’i nënshkruajnë tenderët për të cilët ka ankesa derisa të zgjidhen anëtarët e rinj
Mbi 300 tenderë janë të bllokuar në pritje që Organi Shqyrtues të zhbllokohet. Ky institucion është jofunksional qysh prej 30 marsit.
Deri tani, shumë tenderë janë ankimuar në këtë institucion. Për pasojë, ata nuk po mund të nënshkruhen dhe në shumë institucione po dështon planifikimi i marrjes së shërbimeve dhe produkteve të nevojshme.
Një pjesë e tenderëve janë edhe për produkte shëndetësore. Blerja e dhjetëra llojeve të barnave të Listës Esenciale për të cilat ka nevojë QKUK-ja janë të bllokuara pikërisht për këtë arsye.
“Ka raste kur është bllokuar edhe blerja e materialit shpenzues për procesin e hemodializës. Përderisa afati i shqyrtimit të ankesës, siç edhe thuhet në faqen e këtij institucioni, ka skaduar, QKUK-ja megjithatë nuk mund të nënshkruajë këtë tender pa u zgjedhur bordi i ri”.
Ligji i Prokurimit Publik nuk e parasheh një rrethanë të tillë se çfarë ndodh nëse OSHP-ja mbetet jofunksionale.
Sami Uka nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, ka folur për atë se sa serioze është situata si pasojë e bllokimit të këtij institucioni.
“Ligji i Prokurimit Publik e as ndonjë legjislacion tjetër nuk ka paraparë një situatë kur OSHP-ja mbetet pa bord, dhe kur lëndët aty mbesin çfarë bëhet me to. Kemi pyetje prej shumë autoriteteve se si të veprohet. Është vërtet situatë delikate dhe duhet pasur parasysh edhe trendin e fundit të lëvizjes së çmimeve, ku oferta dhe mbajtja e vlefshmërisë se ofertave është problem. Ne kemi sot problem me kontratat që janë nënshkruar”, ka deklaruar Uka.
Ka rreth dy muaj që në Kosovë nuk ka insulina. Diabetikët po hasin në probleme të gjetjes se tyre edhe në tregun privat. Tenderi i insulinave ka muaj që është në proces, por është i bllokuar në OSHP. Të gjithë anëtarëve të OSHP-së u ka skaduar mandati qe 75 ditë, një javë pasi ishte ndërruar qeveria.
Ndonëse një proces i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj ishte në proces qysh në Qeverinë Hoti, ekzekutivi i drejtuar nga Kurti javët e fundit të majit e anuloi dhe e hapi një konkurs të ri, por që ende si proces nuk ka përfunduar.
Një situatë e ngjashme kur OSHP-ja ishte e bllokuar ka qenë edhe disa vjet më herët. Asokohe ishte marrë vendim që të gjitha ankesat të konsideroheshin të skaduara, duke mos i trajtuar fare.