1 perditesime
11:53

MSH: Nuk ka shkëputje të kontratave, por ato kanë përfunduar sipas afateve

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me protestat e sotme të infermierëve të mbajtura sot para Klinikës Infektive. MSH ka bërë të ditur se nuk bëhet fjalë për ndërprerjen e kontratave të këtij stafi, por se të njëjtat kanë përfunduar sipas kohëzgjatjes që kanë pasur.

“MSh informon se kontratat e nënshkruara për stafin mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19 kanë përfunduar shumica, disa përfundojnë me datë 21 qershor 2021 dhe se të njëjtat nuk mund të zgjaten, për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim. Angazhimi i stafit mjekësor dhe operacional është bërë duke u thirrë në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, në territorin e Republikës së Kosovës, i cili lejon angazhim të përkohshëm për nevoja urgjente” është thënë në njoftimin e MSH-së.

Situata aktuale epidemiologjike sipas MSH-së tani është shumë më e qetë dhe të dhënat nga raportet ditore të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, tregojnë se numri i pacientëve me COVID-19, aktualisht në trajtim është shumë më i vogël se në kohën e angazhimit të këtij stafi, një pjesë e të cilit kanë qenë të angazhuar jo në shërbime mjekësore, por në administratën e MSh-së.

“Sipas raportit të 24 orëshit të fundit, në QKUK dhe në spitalet e përgjithshme të vendit janë gjithsej 77 pacientë në trajtim (për COVID-19), prej të cilëve të konfirmuar me COVID-19 janë gjithsej 28 pacientë. Prandaj, MSh konsideron se aludimet në media dhe në forma të tjera për ndërprerje të kontratave nga ana e këtij stafi, për kontrata të përfunduara nuk janë korrekte dhe të vërteta” është thënë në reagimin e MSh-së.

Ndryshe rreth 360 infermierë që ishin punësuar për nevoja të pandemisë, kanë protestuar sot para Klinikës Infektive.

MSH-ja vitin e kaluar kishte punësuar rreth 360 infermierë për stafin mjekësor të spitaleve dhe klinikave Covid.

09:31

Protestojnë infermierët që ishin punësuar për nevoja të pandemisë, MSH-ja nuk ua vazhdon kontratat

(Ekonomia Online) - Rreth 360 infermierë që ishin punësuar për nevoja të pandemisë, kanë protestuar para Klinikës Infektive.

Atyre nuk do t’iu vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë pasi kjo e fundit ka thënë se ka mungesë të fondeve.

MSH-ja vitin e kaluar kishte punësuar rreth 360 infermierë për stafin mjekësor të spitaleve dhe klinikave Covid.

Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë. Infermierët ishin punësuar me kontrata për gjashtë muaj.