Arbëri

Maliqi: Kosova s’ka perspektivë euroatlantike

Analisti Agon Maliqi ka thënë se Kosova është vend properëndimor, por në teori nuk ka perspektivë euroatlantike për shkak të vendeve në Bashkimin Evropian e në NATO që kundërshtojnë njohjen e Kosovës si shtet.

Në emisionin “Desku” në KTV, duke folur për punimin e tij me Ramadan Ilazin për “çarjet në konsensusin euroatlantik”, Maliqi ka thënë se në Kosovë duhet të bëhet pyetja se sa është i gatshëm vendi të mishërohet me vlerat e BE-së dhe të NATO-s.

“Sa jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa e veprime të nevojshme për të ecur përpara. Kosova teorikisht s’ka as perspektivë euroatlantike për shkak të pesë vendeve në BE që s’na njohin dhe katër në NATO. Kjo është shumë reale. Në 10-vitëshin e fundit gjithmonë themi jemi pro BE e NATO, por jemi më larg këtij procesi. Pyetja që shtrojmë në studim, është që themi që jemi pro BE, por a jemi plotësisht pro të gjitha gjërave që është BE-ja”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova s’ka arritur të krijojë një konsensus të brendshëm edhe kur në botë u panë çarjet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së.

“Kur pamë çarjen e Perëndimit, u reflektua edhe te ne. S’kishim potencial të brendshëm por reflektuam çarjen që vinte nga jashtë. Edhe pse jemi pro, kur vjen momenti të marrim vendime strategjike e të vështira për këtë rrugë, ne i lejojmë temat e brendshme ta sabotojnë këtë rrugë”, ka shtuar Maliqi.