Arbëri

Në Shqipëri hapet rruga për lidhje hekurudhore me BE-në e Kosovën

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore
Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore
 

Qeveria e Shqipërisë ka ndryshuar legjislacionin për hekurudhën shqiptare. Ajo parasheh ndarjen në tri struktura mbikëqyrëse apo edhe të rregullimit të qarkullimit në to, të kësaj hekurudhe. Katër projektligje, pjesë e paketës ligjore për transportin hekurudhor në Shqipëri janë paraqitur dhe miratuar në komisionin parlamentar të Integrimit Evropian, duke hapur mundësinë e investimit për lidhjen hekurudhore të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe me Kosovën.

Etjen Xhafaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, si dhe stafi teknik i MIE-së kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian, të enjten. Aty u prezantuan risitë, qëllimet dhe objektivat e projektligjeve “Për krijimin e Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore”, “Për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor”, “Për ndarjen e shoqërisë ‘Hekurudha shqiptare’” dhe “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Investigimit të aksidenteve dhe incidenteve hekurudhore dhe detare”.