Arbëri

Shkarkimi i pret gjyqtarët e prokurorët që s’e kalojnë ose e refuzojnë vetingun

Ministria e Drejtesise

Do të mbeten pa punë gjyqtarë e prokurorë që s’e kalojnë ose refuzojnë t’i nënshtrohen procesit të vetingut. Drafti i koncept-dokumentit që parasheh këto masa ofron edhe versionet për procedurën e shkarkimit të këtyre kategorive. Rikthimi i mundshëm në institucione të drejtësisë, por pas 15 vjetësh, parashihet vetëm për ata gjyqtarë e prokurorë që dorëhiqen para se të nisë vetingu

Përjashtimi është masa më ekstreme për gjyqtarë e prokurorë që s’e kalojnë vetingun ose refuzojnë t’i nënshtrohen këtij procesi.

Kushtetuta nuk e liston moskalimin e vetingut si arsye për përjashtim. Por, drafti i parë i koncept-dokumentit mbi këtë politikë, të cilin një ditë më parë e ka finalizuar Ministria e Drejtësisë dhe një kopje të të cilit e ka siguruar KOHA, përmban një interpretim, sipas të cilit e njëjta masë mund të shqiptohet për këto dy kategori punonjësish në sistemin e drejtësisë.

“Në përputhje me instrumentet ndërkombëtare, propozimi për shkarkim duhet të vijë vetëm si rezultat i shkeljeve më serioze të detyrës. Në gjuhën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës parashihet termi ‘mosrespektim i rëndë i detyrës’. Është e nevojshme që Ligji për veting ta detajojë pikërisht përmbajtjen e këtij termi dhe t’i listojë shkeljet serioze që do ta përbënin këtë shkelje”, thuhet në draftin e këtij koncept-dokumenti. “Gjetja e mangësive serioze në integritetin e gjyqtarit, siç mund të jenë lidhjet me grupe kriminale, shkëmbimi i favoreve/dhuratave me ta, njëanshmëria politike e dëshmuar përmes vendimeve gjyqësore/ndjekjes penale që ai i ka marrë, apo performanca aq e ulët sa që rrezikon të drejtat e palëve në procedurë, apo pasuria e pajustifikueshme etj., mund të jenë disa nga këto shkelje.”

Në këtë rrethanë, inicimin për shkarkim do ta bënte mekanizmi i cili e realizon vetingun, ndërsa propozimin te presidenti do ta dërgonin Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial.

Por, këshillat do të anashkaloheshin në rast se vetingu do të realizohej nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Sipas dokumentit, ndryshimet do ta kthenin në formalitet shkarkimin nga ana e kreut të shtetit, meqë masa do të shqiptohej sapo këtë ta propozonte mekanizmi përgjegjës për veting.

Kjo është procedura e propozuar në dokument: fillimisht, me anë të amendamentit kushtetues për mekanizmin e vetingut, bëhet themelimi i kësaj trupe që do ta bëjë verifikimin; subjektet e vetingut (gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe nëpunësit në pozita të larta) do të verifikohen nga ana e këtij mekanizmi që do të vlerësojë në bazë të kritereve objektive të përcaktuara me ligj të veçantë se a janë këto subjekte të përshtatshme për pozitat respektive; mekanizmi do ta konkludojë raportin me vlerësim pozitiv ose negativ për subjektet; në rast të vlerësimit pozitiv, subjektet vijojnë t’i mbajnë pozitat e tyre; në rast të vlerësimit negativ, subjekteve do t’u propozohet masa e caktuar; nëse subjektet marrin masën për propozim për shkarkim, mekanizmi do ta bëjë këtë propozim te presidenti, gjegjësisht në këshilla për nëpunësit në pozita të larta drejtuese; presidenti do t’i shkarkojë gjyqtarët dhe prokurorët të cilët janë propozuar nga mekanizmi i vetingut në bazë të kompetencave të tij. Këshillat do t’i shkarkojnë subjektet e tjera.

Drafti i koncept-dokumentit lejon mundësinë e dorëheqjes së gjyqtarëve e prokurorëve nëse nuk duan t’i nënshtrohen vetingut. Në një rast të këtillë atyre do t’u merrej e drejta e aplikimit për punë në gjykata e prokurori në 15 vjetët në vijim.

E, pasoja më të mëdha parashihen për ata që refuzojnë të verifikohen.

“Çdo formë e refuzimit të bashkëpunimit të subjektit për t’iu nënshtruar vetingut do të ketë pasojë shkarkimin nga pozita, si dhe ndalimin për të aplikuar në pozitën e gjyqtarit, prokurorit, kryeprokurorit dhe anëtarit të këshillave, si dhe do të shqyrtohet ndalimi i funksioneve të caktuara publike”, thuhet në dokument.

Nëse vetingu bëhet vetëm me ndryshime ligjore, propozimet për shkarkime kërkohet të shkojnë te presidenti nëpërmjet Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

Dokumenti përmban edhe masa më të buta. Kur evidencohen mangësi vetëm në performancë, të cilat konsiderohen të tejkalueshme, si masa mund të përdoren edhe trajnimi i detyrueshëm për gjyqtarët ose prokurorët, apo edhe ulja në detyrë.