Arbëri

Propozimi i Kurtit i refuzuar nga Vuçiqi, megjithatë mund të pranohet

Veljko Odaloviq

Kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur në Qeverinë e Serbisë, Velko Odaloviq, është i gatshëm të tërhiqet nga ky funksion.

Ky në fakt ishte edhe një prej propozimeve që shtroi sot në Bruksel kryeministri Albin Kurti, në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte ‘naçelnik i qarkut të Kosovës’, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, ka thënë Kurti në Bruksel.

Sipas tij, kjo u refuzua nga Vuçiqi, por vetë Odaloviq në një intervistë për “Kosova Online” në gjuhën serbe, u shpreh i gatshëm të largohet.

“Unë nuk e kam problem. Nëse jam pengesë, nuk jam dikush që nuk mund të largohet. Nëse unë jam problem që të paktën një trup të gjendet, nëse unë jam kusht, jam i gatshëm të tërhiqem”, ka thënë Odaloviq.

Ai ka folur edhe pritjet që kishte nga takimi i sotëm në Bruksel. Odaloviq tha se priste që Kosova që nga java e ardhshme të ftonte palën serbe për gërmime në kërkim sipas tij, të mbetjeve mortore të serbëve të vrarë gjatë luftës.

Tri propozimet tjera të Kurtit, të shpalosura sot në Bruksel janë: 1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. 2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty. 3. Pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.