Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në takimin në Bruksel mes palës kosovare dhe serbe ka pasur ofendime nga kjo e fundit.
Në Deskun e KOHËS, Bislimi ka thënë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka ofenduar herë pas here dhe ka folur në gjuhën serbe, e që për këtë i është tërhequr vërejtja nga zyrtarët e BE-së.
“Ka pasur ofendime dhe provokime nga presidenti serb Vuçiq. Nga pala serbe vetëm Vuçiq ka qenë aktiv, pjesëmarrësi tjetër që për ne ka qenë befasi sepse në protokoll ka qenë se do ishte kryenegociatori Petkoviq dhe në momentin e fundit është ndërruar me ministrin e Punëve të Jashtme, që për ne ka qenë indikator se Serbia në bisedime me Kosovën vjen me ministrin e Jashtëm. Vuçiqi kur e humbte toruan fillonte të flasë në gjuhën serbe dhe të ofendojë, i kemi tërheqë disa herë vërejtjen edhe pala lehtësuese se gjuha zyrtare është gjuha angleze, kemi cekë se përpjekjet e tij janë për të nxitur ndonjë provokim, por pas gjysmës së bisedimeve kur e ka pa që janë të kota, ka ndryshuar qasje” ka thënë ai.
Bislimi ka shtuar se në bisedime ka pasur pak gatishmëri nga pala e Serbisë për të reflektuar mbi katër propozimet të cilat janë dhënë nga Kosova.
“Ka pasur shumë pak gatishmëri me reflektu për idetë dhe propozimet tona dhe nevojën që brenda një afati kohor të arritët një marrëveshje finale që e përfshinë edhe njohjen. Pala serbe mendon se statusi i Kosovës është në tavolinë dhe duhet të diskutohet me palën serbe”, tha ai.