Arbëri

Krasniqi: Kërkesa e presidentes Osmani orvatje për ta kapur KQZ-në

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka reaguar ndaj lajmit se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar dorëheqjen e kryesues së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, në këmbim të mirënjohjes presidenciale.

Burime për “KosovaPress” kishin njoftuar se presidentja Osmani i ka kërkuar Dakës dorëheqjen, ndërsa në këmbim i ka ofruar mirënjohje publike për punën e saj.

Por, Daka thuhet se e refuzoi kërkesën për dorëheqje.

Krasniqi ka thënë se presidentja Osmani në vend të mbrojtjes dhe garantimit të funksionimit të KQZ-së, ajo po e pengon atë. Ai ka thënë se këto ngjarje vetëm mund të quhen si orvatje për kapje të KQZ-së.

“Sot po qarkullon lajmi se Presidentja i ka kërkuar Kryesueses së KQZ-së dorëheqjen, pa dhënë arsye se ku ka dështuar ajo në përmbushjen e mandatit të saj. Në këmbim i është ofruar mirënjohje! Kushtetua nuk ka paraparë si kompetencë të Presidentit shkarkimin e Kryesuesit së KQZ-së, por vetëm emërimin. Shkarkimi është rregulluar me ligj, dhe janë paraparë situatat mjaftë specifike se kur mund të bëhet shkarkimi. Më e lehta për tu thirrur është “Nëse sillet ose vepron në atë mënyrë që dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së”. Tash si mundet të dekorohet dikush që ka dëmtuar integritetin e institucionit, nëse kjo na qenka arsyeja e shkarkimit?! Në vend të mbrojtjes dhe garantimit të funksionimit kushtetues të KQZ-së, Presidentja po bënë të kundërtën, po e pengon atë. Këto ngjarje nuk mund të quhen ndryshe përveçse orvatje për kapje të KQZ-së”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka shtuar se gjatë monitorimit të NDI-së për shpërndarje të lajmeve të rreme gjatë periudhës së fushatës zgjedhore në Kosovë, më së shumti shtrirje kanë pasur lajmet e pasakta që janë bërë ndaj KQZ-së.

“Gjatë zgjedhjeve të fundit, kemi parë sulme, presion, dhe lajme të pasakta që për qëllim kanë pasur denigrimin e kryesueses së KQZ-së. Pjesë e kësaj fushate kanë qenë edhe tash Presidentja dhe Kryetari i Kuvendit. Pas zgjedhjeve, KQZ ende vazhdon të jetë e pakompletuar me të gjithë anëtarët e saj ashtu siç e parasheh Kushtetuta, dhe duke shkelur afatet ligjore për emërimin e anëtarëve të KQZ-së. E gjithë kjo mjegull e krijuar për një situatë kristal të qartë, vetëm për të përmbushur ambiciet për më shumë pushtet”, ka shkruar Krasniqi.