1 perditesime
14:45

MSH-ja njofton se kanë krijuar hapësira të reja për vaksinimin masiv

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 15 qershor nis vaksinimi në masë kundër koronavirusit, duke ftuar qytetarët që të paraqiten në qendrat e vaksinimit vetëm ata që marrin thirrjen.

MSH-ja njofton se në bashkëpunim me komunat ka krijuar hapësira të reja për vaksinim, duke shtuar kapacitetet humane përmes organizimit të 279 ekipeve të vaksinimit në nivel vendi.

Aktualisht, janë duke u vaksinuar kategoria e personave mbi 65 vjeç dhe personat me sëmundje kronike, pa dallim moshe.

“MSH-ja dëshiron të informojë, gjithashtu, se gjatë të gjitha fazave të vaksinimit, punonjësit shëndetësorë e kanë pasur dhe e kanë të hapur mundësinë e vaksinimit; ndërsa krahas kategorive mbi 65 vjeç, deri tani janë vaksinuar edhe persona e hemodializës, personat me diabet, persona me sëmundje malinje si dhe persona me sëmundje të tjera kronike, pavarësisht moshës së tyre, gjithashtu. Ministria e Shëndetësisë, u bën thirrje edhe një herë qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Ministrisë rreth vaksinimit, të regjistrohen dhe të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19 në platformën eKosova, ku aplikimi është thjeshtëzuar dhe një person mund të regjistrojë deri në 5 persona të tjerë”, thuhet në njoftim.

“Po ashtu, kërkohet që pas marrjes së njoftimit për vaksinim, secili qytetar të vaksinohet në lokacionin, sipas vendbanimit të tij”.

14:15

Persona nën 65 vjet po vaksinohen, MSH-ja thotë se kanë sëmundje kronike

Në Kosovë kanë nisur të vaksinohen persona nën moshën 65-vjeçare, para fillimit të vaksinimit masiv, që është paralajmëruar të nis më 15 qershor.

Ministria e Shëndetësisë i ka thënë KOHËS se ka persona nën moshën 65-vjeçare që po marrin dozat e para të vaksinës anti-COVID, por që ata kanë ndonjë sëmundje shoqëruese.

Zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti, ka deklaruar se ky institucion do të dalë me sqarim para fillimit të vaksinimit masiv.