80 për qind e personelit shëndetësor në Klinikën Infektive kanë probleme me ankthin dhe depresionin për shkak të përballjes së vazhdueshme me pandeminë. Nga ky komunitet kërkohet që të angazhohen psikologë klinikë për ta trajtuar këtë kategori.
Izet Sadiku, u.d drejtori i Klinikës Infektive, ka thënë se sipas hulumtimit që është bërë me punëtorët e kësaj klinike, 40% e personelit shëndetësor kanë treguar gatishmërinë që të largohen nga puna për shkak të stresit dhe izolimit gjatë pandemisë në klinikë me pacientë.
“Tash ka filluar të diskutohet edhe më shumë se pas kalimit të pandemisë do të ketë probleme shëndetësore sidomos të nivelit të shëndetit mendor dhe sigurisht kjo do të reflektojë më së shumti në personelin shëndetësor që është marrë qe 15 muaj me pacientët me Covid-19 dhe kanë pasur presion më shumë. Një hulumtim që është bërë para një muaji me punëtorët e Klinikës Infektive është konstatuar që 80% e tyre kanë treguar se kanë probleme qoftë ankth, probleme me gjumin dhe rreth 40% e tyre kanë thënë që ndoshta nuk është vendi më për të punuar në klinikë. Kjo tregon për një gjendje të rëndë dhe unë mendoj që në një të ardhme me mendua me punua që me bo programe të posaçme të trajnimit psikoterapeutike për trajtimin e stafit që kanë punuar në klinikat Covid-19. Ne prej 13 marsit të vitit 2020 që i bie 15 muaj dhe deri para një jave dite kemi pasur vetëm nga 5 ditë pushim dhe shumicën e kohës kemi qenë të izoluar se të tjerët dhe kemi pasur rezerva që të takohemi me familjarë që të mos e bartnim virusin. Kjo është një stres që të mban në ngarkesë psikologjike. Edhe ajo e bënë të vetën kur e she një pacient që nuk po arrin t’i japësh ndihmë”, shtoi Sadiku për Ekonomia Online.
Që nga fillimi i pandemisë, Kosova është përballur me virusin Covid-19, i cili ka shkaktuar lodhje psikike te personeli mjekësor, ka thënë kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu.
Madje, ai tha se kushtet e rënda të punës, mungesa e mjeteve të nevojshme mund të ndikojë në largimin e punëtorëve shëndetësor prej sektorëve publik dhe largimin e tyre jashtë Kosovës.
“Janë dy efekte të cilat po njihen edhe botërisht tashmë si efekte anësore të punës së gjatë të personelit mjekësor sidomos ata të cilët janë marrë intensivisht por që kanë qenë në front të parë me pacientët e Covidit. Po ashtu janë problemet psikologjike të cilat janë përballë rasteve me depresion, raste me lodhje psikike për shkak të kushteve të dobëta të punës dhe mos menaxhimit të orëve të gjata të punës së një kategorie. Dhe këto do të japin efekte afatgjata, si largimi i punëtorëve shëndetësor prej sektorëve publik dhe gjenerata që vjen largimi i mjekëve jashtë Kosovës. Të gjitha kanë qenë kombinim i kushteve të rënda të punës, mungesës së mjeteve të punës dhe normal valët një pas një të pacientëve me Covid-19”, shtoi Sejdiu.
Ai shtoi se për herë të parë ka parë mjekë, specialistë me përvojë kur kanë qarë për shkak të stërngarkesës në punë dhe izolimit nga familja.
Mes tjerash, Sejdiu thotë se nëse Kosova përballet edhe me një valë të katërt me siguri që do të shkaktojë dëme edhe në ofrimin e shërbimeve apo pakësimin e mjekëve.
Sipas tij, qeveria dhe institucionet shëndetësore duhet të merrem më shumë me këto probleme në mënyrë që të angazhojnë psikologë klinikë që të punojnë me punëtorët shëndetësorë, ndryshe sistemi mund të pësojë.
E Infektologu Ilir Tolaj theksoi se personeli shëndetësor do të ballafaqohet me stresin postraumatik për një kohë të gjatë.
“Personeli shëndetësor është pjesë e komunitetit njerëzor prandaj pasojat janë të ngjashme. Çdo pandemi ose çdo situatë e jashtëzakonshme që e godet njerëzimin pas vetes lënë një stres me përmasa të caktuara dhe afatgjate. Edhe personeli shëndetësor do të ballafaqohet me stresin postraumatik për një kohë të gjatë”, shtoi Tolaj për EO.