Arbëri

Avdiu: Liturgjia në Kishën në kampusin e UP-së, vazhdimësi e propagandës serbe

Historiani Shpend Avdiu e ka cilësuar liturgjinë në Kishën e papërfunduar në kampusin e Universitetit të Prishtinës të enjten nga Kisha Ortodokse Serbe, si vazhdimësi të propagandës që kjo kishë dhe shteti serb bëjnë.

Ai ka thënë se liturgji s’ka qenë rastësi ndërsa e ka lidhur atë me përpjekjet që Kisha Ortodokse Serbe ka për legjitimimin e kishës ilegale të ndërtuar në Prishtinës.

“S’është rastësi, sepse ishte 10 qershori - Dita e Lidhjes së Prizrenit dhe festa për çlirimin e Kosovës. Ishte provokim i Kishës serbe, por edhe për shkak të rrëzimit të Kishës ortodokse serbe në Bosnjë. Ajo mundohet ta bëjë legjitimimin e kishave të tjera... Edhe të bëhet legjitimimi i kishës ilegale të ndërtuar në Prishtinë, por edhe të provokohen shqiptarët”, ka thënë ai.

Sipas tij, shteti i Kosovës duhet të veprojë në suaza të ligjeve vendore e ndërkombëtare në raport me provokimet që bën Serbia. Ai ka thënë se Kisha Ortodokse Serbe gjithmonë është marrë me provokime politike e jo me fe. Avdiu ka thënë se Serbia ka bërë provokime të tilla me shekuj, e se liturgjia s’dallon nga provokimet e kaluara.

Për Kosovën ka thënë se Qeveria duhet të kërkojë ndihmë profesionale nga institucionet shkencore në vend. Megjithatë, sipas tij, asnjë qeveri e Kosovës deri tash s’ka bërë përpjekje të tilla.

“Qeveria duhet të ketë strategji e të financojë institucionet shkencore. Institucioni Albanologjik ka zero fonde për hulumtime. Punëtorët e kanë vetëm rrogën. Nuk ka asnjë fond për hulumtime. Historianët s’kanë mundësi të bëjnë asnjë hulumtim”, ka thënë ai duke krahasuar investimet që Kosova bën për të dëshmuar të vërtetën në raport me financimet që Serbia bën për propagandën ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se institucioneve nuk u mungojnë arkivat për të ndihmuar shtetin, ndërsa ka përfunduar se institucionet duhet t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut, siç ka vepruar edhe Bosnja.