1 perditesime
15:25

Raporti për dialogun: Hoti ishte i gatshëm të diskutonte për Asociacionin, priste konsensus

Zyra e Kryeministrit të premten ka publikuar raportin për rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi nga rinisja e deri në fund të vitit të kaluar kur në qeverisje ishte Avdullah Hoti.

Aty janë paraqitur edhe detajet rreth asociacionit të komunave me shumicë serbe. Sipas dokumentit, në takimin i cili ishte menduar të mbahej më 17 shtator në Bruksel, ishte e paqartë nëse pala serbe do të ishte e pranishme, e krejt kjo për shkak të insistimit të tyre që në agjendën e diskutimit në dialog të futej edhe statuti i asociacionit.

Ndërkaq, nga pala kosovare, në krye me Skender Hysenin si kryesues i ekipit negociator dhe ish-kryeministrit Avdullah Hoti, kjo refuzohej kategorikisht. Në raport është shkruar se trajtimi i kësaj teme nga Kosova refuzohej “pas zhurmës dhe deklarimeve irracionale të liderëve partiak dhe shtetëror në Prishtinë të cilët refuzonin të bisedohej për këtë temë”.

Kundërshtimet e atëhershme të politikanëve, në raport janë vlerësuar se janë bërë për “poena të lirë politikë”, pasi shtohet se Marrëveshja e Asociacionit ishte obligim ndërkombëtar.

“Marrëveshja e Asociacionit tashmë ishte obligim ndërkombëtar dhe detyrim për zbatim, pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës. Pra, në dialogun e Brukselit, kërkohej vetëm hartimi i statutit te asociacionit sipas marrëveshjes se nënshkruar dhe ratifikuar. E statuti do të zbatohej vetëm pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohje”.

E kësaj situate, Hoti e Hyseni i janë përgjigjur me një kërkesë drejtuar Lajçakut duke i kërkuar që asociacionin të mos e fuste në agjendë derisa të merrej pëlqimi i liderëve në Prishtinë.

Sidoqoftë, shtohet aty, Lajçaku kishte njoftuar se delegacioni serb ishte pajtuar që në takimin e 17 shtatorit të diskutohet vetëm tema e obligimeve financiare.

Ndërkohë, bëhet e qartë se në Prishtinë vazhdonte “përleshja” rreth asociacionit. I ngarkuari me punë në Ambasadën gjermane, Jean-Axel Voss kërkoi takim. Berlini ishte shqetësuar me deklaratën e Hotit për asociacionin, ku sipas raportit, Voss kishte thënë se Hoti nuk mund të refuzojë diskutimin e të gjitha temave për të cilat ai vetë është pajtuar që në takimin e parë në Bruksel me presidentin serb.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, shprehu të njëjtin shqetësim.

Hyseni dhe Hoti thirrën takim me ambasadorët e QUINT-it për t’ia qartësuar qëndrimin mbi asociacionin.

“KM Hoti rikonfirmoi qëndrimin e tij se ishte i gatshëm të fillonte bisedat në Bruksel për statutin e asociacionit, por u bëri lutje që ta përkrahnin që kjo temë të lihej për një fazë më të vonshme të dialogut, me shpresë se në ndërkohë spektri politik do të arrinte konsensus rreth kësaj teme”, thotë raporti.

Shumica ishin dakord që shtyrja për më vonë nuk do të paraqiste problem, meqë ka tema tjera që mund të trajtohen ndërkohë. “Kjo assesi nuk duhet të kuptohet se BE-ja apo QUINT-i heqin dorë nga obligimi i Kosovës për të zbatuar asociacionin, tërhoqën vërejtjen ata”, theksohet tutje duke e bërë më të qartë qëndrimin mbi asociacionin të ndërkombëtarëve.

13:14

Qeveria publikon raportin e shumëpërfolur për dialogun gjatë qeverisjes së Hotit

Zyra e Kryeministrisë ka publikuar raportin e Koordinatorit Shtetëror të datës 30 dhjetor 2020 për rrjedhën e dialogut Kosovë-Serbi që nga rinisja e deri në fund të vitit.

Në raportin e përpunuar nga koordinatori shtetëror për Dialog, Skënder Hyseni dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, përfshihen detajet nga takimi në Shtëpinë e Bardhë, shkuarjen atje dhe zhvillimet para takimin në Uashington pas aktakuzave të ish-liderëve të UÇK-së.

Më pas sqarohen takimet me partitë në Kosovë, pas kthimit nga SHBA-ja dhe takimet tjera jashtë dhe brenda vendit.

Theksohet se Hyseni pati thënë se nuk duhet humbur kohë me zvarritje të procesit dhe se duhet të arrihej marrëveshje gjithëpërfshirëve me njohje reciproke.

Në fund të raportit thuhet se, Kosova nuk do të merr asnjë zotim të veçantë pa pranuar Serbia njohjen e Kosovës si shtet i pavarur në kufijtë ekzistues.

Për dokumentin, ishte diskutuar shumë, pasi Kurti pati deklaruar publikisht në një intervistë se nuk i ishte dorëzuar kur ka marrë detyrën e kryeministrit. Kjo ishte mohuar nga Hoti, i cili pati thënë se gjithçka e poseduar, i është dorëzuar edhe Kurtit.

Raporti i Qeverisë për Dialogun