Bislimi i kundërpërgjigjet opozitës: Qeveria e ka fituar mandatin për me dalë kundër pritjeve tuaja për dialogun

- 17:08Bislimi i kundërpërgjigjet opozitës: Qeveria e ka fituar mandatin për me dalë kundër pritjeve tuaja për dialogun
- 16:47Opozita lëshon sallën
- 13:09Kurti: Nuk na duhet platformë për takimin e së martës
- 12:32Kurti kërkon konsensus në Kuvend: Mos ta trajtojmë shtetin si peng të mosmarrëveshjes me Serbinë
- 11:47S’kalon mocioni procedural i VV-së për rafikimin e anëtarëve të KSHC-së
- 10:53Kadrijaj: Më vjen keq për aktivistët e VV-së që Kurti i detyronte të kujdestaronin para Kishës Ortodokse
- 10:29Nis seanca me deklarime jashtë rendit të ditës
- 08:19Kurti sot raporton në Kuvend mbi ecurinë e procesit të dialogut me Serbinë
Bislimi i kundërpërgjigjet opozitës: Qeveria e ka fituar mandatin për me dalë kundër pritjeve tuaja për dialogun
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i është kundërpërgjigjur kritikave të opozitës, të secilit deputet veç e veç, sa i përket qasjes në dialogun me Serbinë.
Bislimi ka thënë se arsyeja pse Qeveria e ka fituar mandatin ka qenë pikërisht për faktin për të dalë kundër pritjeve të opozitës për dialogun, që ishin në bisedime për nëntë vite me radhë.
“Ashtu siç edhe shkruan qartë në propozimin e Qeverisë, kjo pikë ka të bëjë me ezaurimin e ecurisë së deritanishme të dialogut, nga viti 2011 deri në dhjetor 2020. Mendoj se çdo debat që është larguar nga kjo pikë, paraqet devijim nga debati. Sa i përket pritjeve që i kanë pas deri tani nga dialogu, mu për këtë arsye deputetët e Vetëvendosjes janë në mesin e Kuvendit, ndërsa të tjerët nëpër qoshe. Qeveria e ka fituar mandatin për me dalë kundër atyre pritjeve që ata i kanë patur nga dialogu”, deklaroi Bislimi.
Ndërkohë sa i përket kritikave që Qeveria ka premtuar dhe nuk po vendos kushte për dialogun, Bislimi u arsyetua se këtë gjë nuk e kanë bërë as qeveritë e shkuara.
“Nuk më kujtohet që dikush nga qeveritë e shkuara ka vendosur kushte për dialog. A ka paraqitur ndonjëra nga partitë ndonjëherë platformë për dialogun?”, u shpreh ai.
Ndryshe, kryekuvendari Glauk Konjufca mbylli seancën për ditën e sotme në mungesë kuorumi për të diskutuar për pikat e tjera të ditës. Seanca do të vazhdojë të hënën nga ora 10:00.
Opozita lëshon sallën
Opozita e ka lëshuar seancën e Kuvendit ku po diskutohet për dialogun. Kjo pasi kryeministri Albin Kurti nuk është prezent në seancë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, kanë kërkuar që të përmbyllet diskutimi për këtë çështje dhe të kalojnë në pika të tjera. Por kjo kërkesë nuk është përfillur.
Kështu e gjithë opozita ka dalë nga salla e Kuvendit.
Kurti: Nuk na duhet platformë për takimin e së martës
Kuvendi shkon në pauzë deri orën 15:30
Deputetët e Kuvendit kanë shkuar në pauzë deri në orën 15:30. Gjatë kësaj seance plenare kanë diskutuar rreth dialogut Kosovë-Serbi, ku kryeministri Albin Kurti do takohet javën tjetër me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.
Në vazhdim të seancës për raportimin e kryeministrit për dialogun me Serbinë, Kurti ka thënë se kjo seancë nuk është për takimin e së martës.
“Kemi një problem themelor është se disa që i dëgjova nuk kanë marrë pjesë në këtë seancë por me një seancë tjetër. Kjo seancë nuk është për dialogun. Nuk është në rend dite për takimin e së martës. Kjo seancë është për me i nxjerrë mësimet tona nga gabimet e juaja. 10 vjet dialog tuajin ne duhet ta trajtojmë për me i nxjerrë mësimet për të ardhmen” është shprehur Kurti.
Kurti i është përgjigjur edhe kritikave të Enver Hoxhajt nga PDK.
“Kryetari i PDK tha që unë nuk i paskam realizuar pritjet e tij por për besë nuk jam për këtë këtu, përkundrazi unë jam zgjedhur në kontrast me ato pritje. U kërkua që unë këtu të vij më platformë dialogun por një gjë e tillë do të ishte gabim sepse të martën është takimi për dialogun jo që të vazhdohet ai. Çfarëdo platforme për dialogun e ri do të ishte gabim para takimit për dialogun e ri. Platforma nuk është hapi i parë kur e harton platformën po e pranon dialogun dialog që ende nuk i dihet agjenda”ka theksuar Kurti.
Ai më tutje ka thënë se po shkon për të mbrojtur interesin e Kosovës. “Unë mbroj interesin e Republikës së Kosovës si kryeministër por unë nuk flasë vetëm për interesin tonë e vëtëm për veten time si palë por flasë edhe për palët. Nuk do ja lë atë pozicion vetëm ndërmjetësit. Jo vetëm cka duam ne pa e shikuar se cfarë është i gjithë konteksti unë flas edhe për palën natyrisht që e mbrojë interesin para se gjithash...” ka vazhduar tutje ai.
Kurti ka vazhduar të insistojë se nuk i ikën dialogut mbi parime.
“Nuk jam duke i ikur dialogut të përgatitur mirë, nuk po i iku takimeve dhe më vjen keq që për këtë akuzohem prej dikujt që dialogun ia pat lënë ish presidentit, në kohën kur ai e kishte përqafuar projektin e shkëmbimit territorial. Sa i përket takimeve me palën serbe dëmi më i madh në kuptimin me SHBA-në është bërë pikërisht kur i është shtruar tapeti i kuq presidentit të atyre në Shtëpinë e Bardhë. E kam vec një lutje në fund mos më rrëzoni edhe njëherë se mandej.....”është shprehur mes tjerash Kurti.
Seanca për dialogun me Serbinë ka vazhduar me debat të ashpër mes pushtetit dhe opozitës. “Replikën ja jap Enver Hoxhajt po spo di me ja dhënë si deputetë apo anëtarë i shkollës verore” është shprehur kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Derisa Enver Hoxhaj ka thënë ‘ Ftojë kolegët e opozitës që të ndihmojë me hartimin e një platformë para se të mbërrini në Bruksel”
Kurse kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku duke iu referuar një deklarate kryeministrit lidhur me rrëzimin e tij, i ka thënë Kurtit që të mos bëjë dramë.
“Mos bo dramë se nuk është kah të rrëzon askush nëse të rrëzon e rrëzon ti veten” është shprehur Abdixhiku.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se çështja e “Zajednicës” ka qenë refren i Lëvizjes Vetëvendosje. Për këtë, para fillimit të dialogut me ndërmjetësim të Brukselit, ai ka pyetur sot kryeministrin Albin Kurti se a do të kalojë “Zajednica”.
Mes tjerash, ai gjatë diskutimit për çështjen e dialogut, ka pasur kritika për qeverinë aktuale, ndërkohë që ka pyetur nëse i kanë ndryshuar qëndrimet edhe për çështje të tjera. “Kryeministri nuk qenka këtu, por ishte bërë refren i LVV-së që ‘Zajednica’ nuk kalon. Për fund po ju pyes, a kalon ‘Zajednica’ apo nuk kalon?”, ka pyetur Lekaj. .
Pyetjes sw Lekajt i është përgjigjur kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
“Me gjasë jo”, është përgjigjur ai shkurt.
Kurti kërkon konsensus në Kuvend: Mos ta trajtojmë shtetin si peng të mosmarrëveshjes me Serbinë
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk është nevoja që Kosova të ngutet në procesin e dialogut dhe të varet nga njohja e Kosovës nga Serbia. Ai ka thënë se koha duhet ta ndryshoj realitetin në Serbi që kjo t’i pranojë krimet që ka bërë.
“Pse po ngutemi ne e pse duhet të ngutemi. Ne jemi vend i pavarur, koha që kalon duhet ta ndryshoj realitetin në Serbi duke sjellë pranimin për krimet e tyre e njohjen për pavarësinë tonë, e jo ta ndryshojnë realitetin e Kosovës së pavarur. Pse te ngutemi ne, kur është shpallur pavarësia nuk është menduar njohja nga Serbia. Pse kjo varësi nga njohja e pavarësisë sonë nga Serbia. Nuk është shpallë pavarësia që varësia e dikurshme nga Serbia të zëvendësohet me varësinë e shtetit tonë nga njohja e Serbisë. Dialogu është dëmtuar në masë edhe nga qasja asimetrike e BE-së në ndërlidhjen e dialogut me avancimin drejt Agjendës së Integrimeve Evropiane. Presioni i BE-së do të duhej të jetë mbi Serbinë, nga 22 shtete që e njohin Kosovën e jo mbi Kosovës që është në fund të procesit të integrimit e kushtëzohet nga pesë shtete”, ka thënë ai.
Marrëveshja me Serbinë, Kurti ka thënë se është problematike tash kur fillon cikli i zgjedhjeve nëpër qendrat e rëndësishme të vendimmarrjes.
Ai ka thënë se dy palët duhet të jenë të barabarta në tavolinën e bisedimeve. Shtoi se duhet konsensus për dialogun, ndërsa iu drejtua deputetëve të Kuvendit që të mos e trajtojnë shtetin si peng të mosmarrëveshjes me Serbinë.
“Ajo që do të doja të kishim konsensus është që të mos e trajtojmë shtetin tonë si peng i mosmarrëveshjes me Serbinë, sepse kjo është urgjencë artificiale e cila ka bërë dëm të jashtëzakonshëm e po vazhdon të na bëjë ende. Nuk i kemi borxh askujt, por na kanë borxh shumëçka”, ka thënë Kurti.
“Qasjen tonë ndaj dialogut e dini, parimet duhet të jenë, pranimi i realitetit të një Kosovë të pavarur nga Serbia, pranimi i krimeve të Serbisë në Kosovë, barazia e qytetarëve si përfitues përfundimtar”, ka thënë ai.
Abdixhiku thotë se Kurti po shkon në dialog i papërgatitur
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka thënë kryeministrit Albin Kurti se obligimeve dhe përgjegjësive si kryeministër nuk mund t’u ikën dhe se askush nuk do ta gjykojë në procesin e dialogut. Ai ka thënë se Kurti ka ndryshuar radikalisht në secilën kauzë deri më tani.
“Po shkoni në dialog i papërgatitur. Janë disa parime që kryeministri nuk guxon t’i kapërcejë. Parimi i parë është që dialogu të bëhet me Kosovën e jo për Kosovën”, ka thënë ai.
Hoxhaj tallet me strategjinë e Kurtit për dialogun
U.D.i kryetarit të PDK-së Enver Hoxhaj është tallur më raportimin e Kurtit në Kuvend. “Shumë të nderuar pjesëmarrës të kësaj shkolle verore mirë se keni ardhur në këtë seminar ujin e keni pa gaz kafet i keni pa pare .. faleminderit shumë” është shprehur Hoxhaj.
“Mënyra se qysh ka fol për dialogun i thonë sharlatanizëm...pritja ime ka qenë që sot ne në këtë seancë të flasim për dialogun ku kryeministri do i sillte parimet qëllimet temat afatet kohore... por sot kur e dëgjova kryeministrin qytetarët duhet ta dinë që dialogu nuk është i përgatitur politikisht e në rrafshin diplomatik. Sot kur foli z. Kurti për dialogun nuk e reflektojë atë të vërtetën që është në raport. Kurti ka fol totalisht palidhje të asaj çfarë flitet në raport “ ka thënë më tutje Hoxhaj.
Hoxhaj më tutje ka vazhduar kritikat ndaj Kurtit duke thënë se ai e ka gabim qasjen për dialog dhe se po shkon pa platformë dhe strategji.
“Po shkoni duke i shkelur zotimet e juaja se nuk do të shkoni në dialog pa kërkuar falje Serbia keni thënë se nuk shkoni në dialog pa i anuluar marrëveshjet, sjelli marrëveshjet në Kuvend, e anuloni se i keni votat. Për shkak të shqiptarëve të ardhshëm kërko falje se në këtë Kuvend ke ushtruar dhunë mbi deputetët për dialogun” ka thënë më tutje ai.
”Dialogu i ri i Albinit është një foto me Vuqiçin, dialogu i ri është ajo që e kemi parë dje në kampusin e UP-së. Dialogu i ri është kompetencat e reja asociacionit. Ju po shkoni në dialog jo për njohje të ndërsjellë por që t’i normalizoi raportet me Serbinë ne presim prej juve me na tregu a do të kemi njohje të ndërsjellë a do të na njohin 5 vendet e BE, a do anëtarësohemi në NATO në organizatat ndërkombëtare” është shprehur Hoxhaj.
Haradinaj: Mos kryeministri po fshihet edhe prej Serbisë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri po ik dhe po fshehët.
Ka thënë se Kurti po fshehet ndoshta edhe prej Serbisë, ndërsa ka ngritur pyetjen nëse prapa kësaj ka ndonjë arsye.
“Sot nuk kemi para nesh kryeministrin e Kosovës, por e kemi një udhëheqës i cili nuk e di pse, por e ka zgjedhur ikjen dhe fshehjen. Nuk e kam të qartë prej kujt po ikë, a po ikë prej VV-së, kauzës që e ka ndërtuar, ndaj atyre që shpresojnë pre tij kauzë të drejtë në dialog. VV-ja nuk e di a e kupton më liderin e saj. Kam bindjen që po fshihet edhe nga opozita e sotme. Prej kujt tjetër po fshihet kryeministri ynë, mos po fshihet edhe prej Serbisë, mos Serbi për një arsye të caktuar ka ndonjë fuqi mbi kryeministrin tonë, i cili nuk i lejon veten të marrë vendim të qartë, me sqaru pastër qëndrimet e Kosovës. A mundet që kryeministri po fshehët prej aleatëve ndërkombëtarë”.
Haradinaj tha se është risi që nuk po diskutohet me SHBA-në, teksa kërkoi që Kurti t’i drejtohet Amerikës.
“Është risi që nuk diskutohet me Amerikën. Pse unë mendoj që kryeministri ynë po fshehët prej Amerikës. Si guxon kryeministri i Kosovës të shkojë në takime që janë nën patronatin e BE-së për pavarësinë e vendit të vet për një pozicion të dyshueshëm ndaj Kosovës pra shkon pa Amerikën. Pse kryeministri nuk i drejtohet presidentit të Amerikës t’i kërkojë një emisar special për dialogun Kosovë-Serbi, ku është problemi”, ka thënë Haradinaj.
S’kalon mocioni procedural i VV-së për rafikimin e anëtarëve të KSHC-së
Mocioni procedural i Lëvizjes Vetëvendosje për futjen në rend dite ratifikimi i anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, nuk ka kaluar. Nga 100 deputetë në sallë, 60 votuan pro dhe 32 kundër.
Deputetët e opozitës kanë thënë se ky procesd duhet të kthehet në pikën zero.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se janë kundër futjes së rend të ditës, duke shtuar se një nga anëtarët e Këshillit është “nip i Qeverisë suaj dhe ju ftojmë që nipat t’i leni për dasma”.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë çdo propozim që vjen nga Qeveria po tentohet të shkohet jashtë procedurës.
“Po e dëmtoni mënyrën e vendimmarrjes dhe po e dëmtoni mbi të gjitha cilësinë”, ka thënë tutje.
Tutje, deputeti nga AAK, Besnik Tahiri, ka thënë se Qeveria po kontrabandën tema për t’i kapur institucionet e pavarura.
“Është e vërtetë që daja bënë për nipin gjithçka, por nuk është tema kjo por Këshilli Shtetëror i Cilësisë”.
Kadrijaj: Më vjen keq për aktivistët e VV-së që Kurti i detyronte të kujdestaronin para Kishës Ortodokse
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kërkuar përgjigje nga Qeveria e Kosovës lidhur me liturgjinë e djeshme në Kishën Ortodokse në Prishtinë nga përfaqësues serbë.
Ajo ka thënë se në opozitë, Vetëvendosje protestonte para kësaj kishe për të mos lejuar veprimtari të tilla, teksa tash në qeveri nuk ka informacione për të tilla aktivitete.
Ajo ka kërkuar të dijë nëse për liturgjinë e djeshme ka pasur leje nga Qeveria e Kosovës.
“Dje në kampusin universitar është mbajtur një liturgji në një kishë ortodokse që është burim i shovinizmit e ndërtuar ilegalisht, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk kishte asnjë reagim bile as nuk kishte informacione që është mbajt. Çfarë qeverie është kjo që nuk ka informata se çfarë po ndodhë. Më vjen keq prej aktivistëve të LVV-së të cilët kryeministri Kurti i ka detyruar me javë të tëra të kujdestarojnë para asaj kishe që të mos lejohen ato mesha. Cila është e vërteta tash. A ka pasur informacione Qeveria e Kosovës, a ka pasur leje për mbajtjen e asaj meshe dhe nëse jo, çfarë qeveria jeni kur nuk e dini çka po ndodhë në vendin tonë”, ka thënë ajo në seancën parlamentare të Kuvendit të Kosovës.
Nis seanca me deklarime jashtë rendit të ditës
Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës. Në rend të ditës janë disa pika diskutimi. Pikë e parë janë deklarimet jashtë dite.
Deputetja e Lëvizje Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi ka kërkuar nga institucionet e vendit të ruajnë memorien historike për çlirimin e vendit nga okupatori serb.
Në kuadër të deklarimeve jashtë rendit të ditës të seancës së sotme, deputetja tha se duhet të bëhet më shumë edhe për mirëmbajtjen e memorialëve.
“Institucionet nuk e kanë bërë punën e mjaftueshme që memoria historike të ketë mirëmbajtjen më të mirë të mundshme. Flamuj kombëtar të grisur nga era, apo barë i thatë mbi varreza. Lula dhe kurora të shpërndara gjithandej dhe disa raste pllaka të thyera. Për shoqërinë tonë janë plagë më të rënda sesa plagët që morën të rënët në luftë. Në këto dy përvjetorët e fundit të çlirimit të Kosovës ishte pandemia që na ndau në akademinë përkujtimore, por asgjë nuk duhet të na ndalte që rrugicat deri tek varret e dëshmorëve të ishin më të pastruara dhe shtruara”, tha ajo.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismajli, ka thënë se ka iniciuar projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave, duke shtuar se Qeveria Kurti e ka përfshirë këtë në program por deri në fundvit.
“Sot përpos që e kam dërguar në Kuvend, do t’ia dorëzoj edhe ministrit Vitia një draft për projektligjin duke kërkuar nga ai që të mos ngurrojë”, ka thënë ai.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se nga fillimi ajo është futur në agjendën legjislative për t’u rregulluar.
“Ju faleminderit edhe për draftin. Duke pas parasysh rëndësinë e saj nga fillimi e kemi futur në agjendën legjislative dhe kjo do të rregullohet njëherë e përgjithmonë. Ju falënderoj për bashkëpunimin dhe pres edhe prej subjekteve tjera”, tha ai.
Kurti sot raporton në Kuvend mbi ecurinë e procesit të dialogut me Serbinë
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë plenare. Para deputetëve do të raportojë kryeministri Albin Kurti mbi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë.
Rendi i ditës:
1. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
2. Pyetjet parlamentare,
3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
4. Diskutim mbi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë,
5. Propozim-vendimet për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 08-V-006, dt. 02.04.2021 për formimin e komisioneve parlamentare,
6. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësitë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve,
7. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2020.
Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq do të takohen në Bruksel më 15 qershor.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Mot i vranët të dielën, priten reshje bore

Vrasja e Liridona Ademajt, aksion simbolik para gjykatës

Të dielën seancë gjyqësore për vrasjen e Liridona Ademajt

KFOR: Pas sulmit në Banjskë, kemi katërfishuar praninë në veri

Krimet e pandëshkuara të luftës

Abazoviq feston fitoren e Partizanit të Beogradit me këngë serbe

98 për qind e fëmijëve që s’dëgjojnë, s’dinë shkrim-lexim pas shkollës së mesme

Osmanaj: Draftstatuti cenon Kushtetutën në disa pika

Serbia rekruton në ushtri edhe të rinj nga veriu i Kosovës

Familjarët i bëjnë thirrje Prokurorisë t’ia lejojnë zhvarrimin e Liridona Ademajt

Vëllai i Liridonës: Dyshojmë se e vranë për të përfituar para nga sigurimi jetësor
