Arbëri

Moszbatimi i vendimeve të Kushtetueses, pasojë e mungesës së sanksioneve penale

Descriptive Text

Edhe pse ekziston një rregullore, e cila i specifikon procedurat që duhet ndjekur në rast të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, në këtë institucion nuk kanë treguar nëse ajo është vënë në veprim në rastin e kontestit rreth pronave të Manastirit të Deçanit. Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se Kosova bën pjesë në shumicën e vendeve të Evropës, ku moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk përbën vepër penale, ani pse Prokuroria mund të njoftohet për rastet kur nuk zbatohet një aktgjykim

Jo të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë gjetur zbatim deri më tani, pavarësisht se ekziston një dokument, i cili e tregon rrugën që duhet ndjekur në rastet e tilla.

Është Rregullorja e punës së Gjykatës sipas së cilës institucioni mund të lëshojë një aktvendim, në të cilin theksohet se vendimi nuk është zbatuar. Veç publikimit në gazetën zyrtare, po ashtu prokurori i shtetit informohet për të gjitha vendimet e Gjykatës që nuk janë zbatuar.

“Sekretariati, nën mbikëqyrjen e gjyqtarit, i cili e ka hartuar vendimin, do ta përcjellë zbatimin e vendimit, si dhe, sipas nevojës, do t’i raportojë Gjykatës me rekomandimin për procedurat e mëtejme ligjore që duhet të ndërmerren”, thotë Rregullorja.

KOHA ka pyetur në Kushtetuese për rastet që i janë proceduar prokurorit të shtetit, por nuk kanë ofruar përgjigje.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka përmendur vetëm dy raste që kanë hasur në rezistencë gjatë kohës së tij. Është vendimi për fabrikën e tubave, që nuk është zbatuar asnjëherë dhe vendimi i njohur si VLAN ndaj të cilit kishte pasur rezistencë në vitin 2014, por në fund ishte zbatuar.

“Në 99 për qind të rasteve janë zbatuar vendimet në kohën sa kam qenë unë kryetar. Dy raste janë që njëri nuk është zbatuar e tjetri është zbatuar në vështirësi. Ajo procedurë sipas rregullores ndiqet, është ndjekur në rastin e Fabrikës së Tubave dhe kaq. Në momentin që publikohet në gazetën zyrtare, prokurori vetëm informohet, sepse nuk ka asnjë ingerencë tjetër sa i përket moszbatimit të vendimeve”, ka thënë Hasani. Çështja e ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave dhe Çelikut ka një histori të gjatë gjyqësore.

Gjykata Komunale e Ferizajt kishte nxjerrë një aktgjykim të formës së prerë (C.nr.340/2001), sipas të cilit vendimi i IMK-së për të ndërprerë kontratat e punës ishte i paligjshëm dhe se punonjësit që ishin raportuar në punë deri më 1 maj 2001 duhet të rikthehen në pozitat e tyre në punë ose në vendet e punës në pajtim me kualifikimet dhe aftësitë e punës dhe duhet t'i realizojnë të gjitha të drejtat e tyre nga marrëdhënia e punës me IMK-në nga 19 shkurti 1990 deri më 1 maj 2001. Vendimi i Gjykatës nuk përmendte shumën e mjeteve që do të përfitonin ish-punëtorët nga ky aktgjykim.

Pas kësaj, ish-punëtorët kanë kërkuar nga Gjykata Komunale në Ferizaj urdhër përmbarimi të vendimit, me pretendimin për t’ua kompensuar shumën prej 25.649.250 eurosh, me kamatë prej 3 për qind të llogaritur nga 13 marsi 2002, deri në datën e pagesës përfundimtare. Dy vendime gjyqësore lejuan përmbarimin, bashkë me kërkesën për kompensimin e kësaj shume.

Por, ngaqë vendimet e Gjykatës nuk janë vënë në praktikë, ish-punëtorët i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila dy vjet më parë ka shqyrtuar aktgjykimin e Gjykatës Komunale në Ferizaj (C.nr.340/2001), e që, po kështu nuk përmend fare asnjë shumë që duhet të kompensuar.

“Kosova bën pjesë në shumicën e vendeve të Evropës ku moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nuk përbën vepër penale, sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë vendime gjyqësore dhe supozohet se janë të vetekzekutueshme. Ajo dispozitë nuk i jep asnjë tagër prokurorit sa i përket hetimeve dhe të ngjashme lidhur me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar Hasani, i cili është bashkautor me Muhamet Brahimin të librit Gjyqësia Kushtetuese, që del të premten nga shtypi. Mes të tjerash, një kapitull i veçantë i kushtohet edhe zbatimit të vendimeve. Aty shkruan se gjykatat kushtetuese zakonisht varen nga organet dhe institucionet e tjera shtetërore dhe publike, të cilat janë të detyruara për t’i përshtatur sjelljet e tyre me verdiktin e detyrueshëm të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse ky nuk është rasti, atëherë ekzekutueshmëria ngrihet si problem nga ana e atyre që afektohen me mosrespektim të vendimit të Gjykatës përkatëse Kushtetuese. Nga kjo del qartë se të ekzekutueshme janë vetëm vendimet e dhëna në rastet konkrete individuale: ekzekutueshmëria është koncept ngushtësisht i lidhur me efektet ‘res judicata’, pra jo me fuqinë e përgjithshme të detyrueshme, ‘erga omnes’, të cilat paraqesin cilësinë juridike të vendimeve të gjykatave kushtetuese”, shkruhet aty.

Vendimi për pronat e Manastirit, Hasani përmend pasojat ndërkombëtare

Në mesin e vendimeve të pazbatuara është ai për pronat e Manastirit të Deçanit, i cili është nxjerrë në vitin 2016. Nëpërmjet tij i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.

Por Komuna e Deçanit deri tani ka refuzuar që t’i kalojë ato në pronësi të Kishës, me gjithë kërkesat e QUINT-it dhe përfaqësuesve të BE-së.

Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, gjatë vizitës në Kosovë takuan edhe patriarkun e ri të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.

Pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe dhe Beogradit zyrtar për trashëgiminë kulturore në Kosovë u rikthyen muajve të fundit pasi Manastiri i Deçanit u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve më të rrezikuara evropiane.

“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të vetekzekutueshme. Sipas Kushtetutës, secili organ, subjekt, person/individ, të gjithë duhet t’i zbatojnë vendimet me ndërgjegje dhe është gabim moszbatimi i tyre. Ajo ka pasoja jashtëzakonisht të këqija për Kosovën në planin e jashtëm, sepse është shenjë e mossundimit të ligjit”, ka theksuar Hasani.

“Kosova mund të futet në vendet ku nuk ka sundim të ligjit dhe vendimet e organeve që ndajnë drejtësi, siç është Gjykata Kushtetuese - nuk respektohen. Ky është gabim jashtëzakonisht i madh dhe kjo çështje duhet të mbyllet, sepse nuk mund të rihapet. Nëse ne pranohemi në Këshillin e Evropës në të ardhmen, kush ka interes mund ta sfidojë atje vendimin”.

Përfaqësuesit e Kishës ia përkujtuan edhe kryeministrit aktgjykimin e Kushtetueses, në përgjigjen ndaj kërkesës së Kurtit për ta takuar abatin e Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq.

Në atë letër Kurti e kishte shprehur dëshirën që të vizitonte Manastirin e Deçanit dhe të bisedonte me abatin Janjiq. Arsyeja e refuzimit, siç thuhet në një komunikatë të Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit, është mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronën e Manastirit të Deçanit.

“Lidhur me letrën që zoti Albin Kurti e ka dërguar në Manastirin ortodoks serb të Deçanit të Lartë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit mbetet pranë qëndrimit të saj të deklaruar në mënyrë të qartë më parë, se nëse institucionet shqiptare të Kosovës dëshirojnë të tregojnë një minimum të vullnetit të mirë, për të respektuar të drejtat fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ato janë të obliguar që të përmbushin plotësisht vendimin e Gjykata Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, për njohjen e pronës së Manastirit ”, thuhej në njoftimin e dioqezës.

Në zyrën e kryeministrit nuk kanë komentuar në lidhje me këtë çështje.