2 perditesime
14:41

KQZ nuk i ndal kompensimet shtesë për anëtarët e saj

KQZ-ja në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që të mos i ndalojë anëtarëve të saj kompensimet financiare për punën shtesë në zgjedhjet lokale.

Gjatë rishikimit të buxhetit për zgjedhjet lokale të rregullta që do të mbahen sivjet, Sami Kurteshi nga VV ka thënë se nuk duhet të ketë mëditje për orare shtesë.

Për këtë ka reaguar, anëtari tjetër i KQZ-së nga LDK-ja Florian Dushi, i cili tha se pavarësisht që janë zgjedhjet lokale sivjet të rregullta, duhet të vazhdoj praktika për kompensim të punës jashtë orarit për anëtarët e KQZ-së dhe tjerët.

“Unë pajtohem që ky planifikim edhe kjo pjesa e punës jashtë orarit, pavarësisht se janë zgjedhjet e rregullta, megjithatë mund të ketë raste kur punohet jashtë orarit të punës. Prandaj, unë jam që mos të prekim planifikimin, por kjo të rregullohet në mënyrë strikte me akte përkatëse brenda KQZ-së për ndarjen e pagesës për punë jashtë orarit”, tha Dushi raporton KP.

Në këtë mbledhje kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, ka njoftuar anëtarët për përgatitjet e zgjedhjeve komunale që pritet të mbahen në vjeshtën e vonë të këtij viti.

Po ashtu u theksua se aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 47 parti politike.

12:24

KQZ rishikon buxhetin, 7.5 milionë euro për zgjedhjet lokale

Zgjedhjet e 14 shkurtit buxhetit të Kosovës i kushtuan 4 milion e 649 mijë e 764 euro është thënë në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) raporton Ekonomia Online.

Arianit Elshani nga PDK-ja, ka bërë të ditur koston e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të cilat u mbajtën më 14 shkurt.

Sipas të dhënave të KQZ-së, këto zgjedhje i kushtuan buxhetit të Kosovës 4 milionë e 469 mijë e 764 euro.

Planifikimet për koston e këtyre zgjedhjeve kanë qenë më i madh, ka sqaruar ai, duke shtuar se kishin planifikuar 5 milionë e 578 mijë e 712 euro.

Po ashtu, sipas raporteve të KQZ-së këto zgjedhje kushtuan më pak se ato të vitit 2019, të cilat kishin kushtuar rreth 5.2 milionë euro.

“Janë analizuar periudhat janar-mars mbi koston e shpenzimeve, dhe shpenzimet janë mbi 4 milionë euro apo 34% dhe këshilli propozon që të miratohet”, tha Elshani.

Poashtu është bërë edhe shqyrtimi dhe miratimi i rishikimit të buxhetit për vitin 2021, raporton EO.

Elshani, theksoi se buxheti aktual i KQZ-së është 7 milionë e 64 mijë, dhe në këtë buxhet është i përfshirë edhe për raundin e dytë për zgjedhjet lokale që parashihet të mbahen në tetor.

Gjithashtu KQZ-ja ka miratuar kërkesën drejtuar Ministrisë së Financave, për t’u alokuar një buxhet shtesë prej 3 milion e 886 mijë e 717 euro.

“Buxheti aktual i KQZ-së, është 7 milionë 64 mijë e 436 euro dhe për nevojat që ta përmbyllim këtë vit suksesshëm duhet të bëjmë një kërkesë edhe për 3 milionë e 886 mijë e 717 euro në Ministrinë e Financave për t’i alokuar në kuadër të KQZ-së”.

11:44

KQZ-ja shpenzoi mbi 11 mijë euro për letër e 7300 euro për dreka

Përgatitjet e zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti ka qenë tema kryesore në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ).

Sipas kryeshefit ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së Burim Ahmetaj kanë nisur përgatitjet e qarkores së parë të buxhetit 2022-2024.

KQZ ka miratuar raportin financiar tre mujor janar - mars 2021, që ishte rreth 4.5 milionë euro.

Ndërsa, anëtari i Komisionit Sami Kurteshi ngriti çështjen e rritjes së shpenzimeve, për çka ai veçoi për letër, dreka zyrtare dhe për derivate.

“Mbi 11 mijë euro shpenzime për letër. Rritja e shpenzimeve për derivate. 7300 euro janë shpenzuar për dreka zyrtare për vitin 2020. Kërkoi sqarime veçanërisht për rritjen e shpenzimeve për dreka zyrtare, pasi viti i kaluar ka qenë vit pandemik”, tha Kurteshi.

Ndërsa, Arianit Elshani anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i cili prezantoi raportin e shpenzimeve, tha se trendi i këtyre shpenzimeve ka qenë më i ulët.

Sa i përket drekave zyrtare, ai tha se ato janë shpenzuar në raport me kryetarët e KKZ-ve dhe për anëtarë të KQZ-së dhe sekretariatin për shujta.

Për zgjedhjet të rregullta që do të mbahen sivjet, Kurteshi ka thënë se nuk duhet të ketë mëditje për orare shtesë.

Në këtë mbledhje po ashtu u tha se aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 47 parti politike.

Ndërsa, në këtë mbledhje është ngritur nga anëtarët e VV çështja e kërkesave për qasje në dokumente publike brenda KQZ-së, të cilët kërkuan të jetë konform ligjeve në fuqi.

Sami Kurteshi anëtar i KQZ theksoi se çdo anëtarë i KQZ-së ka të drejt të ketë qasje në dokumente publike.

Sipas Kurteshit kolegut të tij Alim Rama i është refuzuar nga Sekretariati kërkesa me shkrim për qasje në një dokument publik.

“Askund nuk ka hierarki për kërkesë në qasje dokumente publike. Ne nuk kemi të drejt me bërë publike të dhënave personale, ndërsa të gjitha dokumentet tjera duhet të jenë publike”, tha ai.

Anëtari tjetër nga VV Alim Rama për këtë çështje ka kërkuar të formohet një Komision Disiplinor.