3 perditesime
13:29

Konjufca pas takimit me Bashën: Sa më të unifikuar të jemi, aq më e lehtë do të jetë për ne

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është pritur nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Nga ana e tij, Konjufca e konsideroi si shumë të frytshëm takimin me Bashën. Ai ka thënë se fokusi kryesor i bisedës ishte dialogu me Serbinë. Kreu i Kuvendit të Kosovës theksoi se janë shumë të rëndësishme qëndrimet e unifikuara të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.

“Jemi shumë të nderuar për pritjen një selinë e PD të Shqipërisë nga kryetari i saj. Patëm një takim shumë të frytshëm duke trajtuar temat më të rëndësishme. Fati i shteteve tona është i përbashkët meqenëse ne jemi një komb. Në veçanti prekëm dialogun me Serbinë në të cilën Kosova po përballet me qëndrimet e Serbisë që synon të krijojë një entiteti të kontrolluar nga Beogradi. Më gëzoi fakti që qëndrimet e PD janë të rëndësishme për Kosovën. Këto na ndihmojnë në proceset e ardhshme. Vetëm duke pasur një pozicion unik të dy shtete tona mund të ketë sukses. Me zëra të ndarë, me qëndrime kundërthënëse kemi përjetuar vetëm dëme. Sa më të unifikuar të jenë qëndrimet ton do të jetë me e lehtë për ne,” u shpreh Konjufca.

Kryedemokrati Basha ndërkohë nënvizoi mbështetjen e PD-së për të gjitha sfidat e Kosovës.

“E sigurova për mbështetje e plotë të PD në të gjitha sfidat me të cilat përballen institucionet e Kosovës. Mbi të gjitha me qëndrimin krah për krah për përballjen e sfidave të tjera ku prioritet mbetet vazhdimi i njohjeve ndërkombëtare, dhe përfundimi me sukses i dialogut me njohjen e ndërsjelltë të dy shteteve, Serbisë dhe Kosovës”, deklaroi Basha.


Konjufca ngatërrohet, e përmend PDK-në në vend të PDSH-së

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është pritur nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Gjatë deklaratës së përbashkët për media, kryekuvendari u ngatërrua duke përmendur Partinë Demokratike të Kosovës, në vend të Partisë Demokratike të Shqipërisë.

“Më gëzoi shumë fakti që qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Konjufca, ku më pas ndërhyri Basha dhe e përmirësoi, ndërsa vijoi fjalimin e tij.

11:19

Konjufca: Na duhet koordinim me Shqipërinë që Kosova të mos dëmtohet nga marrëveshja përfundimtare

Pas takimit me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se kanë biseduar për tema të ndryshme, e në veçanti për përballjen e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe sfidën e Gjykatës Speciale.

Konjufca ka thënë se duhet një koordinim me qeverinë shqiptare që Kosova të mos dëmtohet nga një marrëveshje përfundimtare dhe se krijimi e çfarëdo etniteti serb brenda Kosovës që do udhëhiqej nga Beogradi, do ishte i dëmshëm.

“Po përballemi me Gjykatën Speciale, disa prej krerëve të shtabit të UÇK-së, po gjykohen në Hagë. Duhet të bashkërendojmë veprimet tona, që të kalojmë me dëme sa më të vogla edhe këtë sfidë. Lufta UÇK-së s’ka qenë vetëm e Kosovës, lufta jonë e shenjtë, e drejtë dhe e pastër, ka qenë e gjithë kombit shqiptar, duhet të trajtohet e tillë dhe të mbrohet” ka thënë ai.

Konjufca ka falenderuar autoritetet shqiptare për ndihmën e dhënë në tejkalimin e pandemisë së koronavirusit, duke vaksinuar ekipet mjekësore.

“Dua të falenderoj Shqipërinë dhe institucionet e saj që dhanë kontribut në përballje të pandemisë COVID-19, duke ofruar vaksinimin edhe për stafin mjekësor të Kosovës, edhe për ndihma të tjera në këtë aspekt, që vendi ynë ta përballonte më lehtë luftën me këtë pandemi”, ka shtuar Konjufca.

Ai ka thënë se përpos rreth 120 marrëveshjeve dhe memorandumeve që Kosova dhe Shqipëria kanë arritur ndër vite, duhet të bëhet thellimi i bashkëpunimit në ekonomi dhe në fusha të tjera.

“Kemi interesa të përbashkëta sepse jemi një komb, duhet ta kemi edhe politikën të tillë. Edhe artifkulimin e interesave të përbashkëta, edhe sfidat i kemi të përbashkëta”.

Në anën tjetër, kryeparlamentari i Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka thënë se e vlerësojnë qëndrimin dhe maturinë e Kosovës në dialogun me Serbinë, duke shtuar se kjo e fundit ka kryer krime gjatë luftës, ka fshehur kriminelë dhe s’ka bashkëpunuar me drejtësinë.

“Serbia sot përpiqet t’i glorifikojë kriminelët e vet, që i ka fshehur. Koha punon për Kosovën sepse Kosova është në anën e duhur të historisë”, ka thënë ai.


Konjufca takohet me Metën

Kryekuvendari Konjufca dhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta diskutuan për marrëdhëniet që Kosova dhe Shqipëria kanë sendërtuar ndër vite në shumë sfera të bashkëpunimit, ndërsa u dakorduan që midis dy vendeve ende ka hapësirë për forcimin e mëtejmë të këtyre marrëdhënieve.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi rëndësinë e heqjes së të gjitha barrierave ekonomike dhe nevojën imediate të partneritetit strategjik, si dhe për nismat rajonale dhe integrimet euro-atlantike.

Konjufca ritheksoi qëndrimin se shteti i Kosovës është i hapur për bashkëpunim rajonal por vetëm mbi bazën e barazisë dhe të reciprocitetit.

Ai po ashtu falënderoi presidentin Meta për mbështetjen konsistente dhe përkrahjen e fuqishme që shteti shqiptar i ka dhënë e vazhdon t'i jap Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese.

“Roli dhe kontributi i Shqipërisë ka qenë vendimtar në të gjitha periudhat dhe rrugëtimet tona si komb, sikurse edhe gjatë luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi kryetari Konjufca.

Presidenti Meta, nga ana e tij, tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, si dhe i inkurajon të dy vendet, që marrëveshjet e arritura mes tyre të mos të mbesin vetëm në letër.

Ai tha se është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces.

Image

Konjufca takohet edhe me Bashën

Pas takimeve të sotme me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçin dhe presidentin Ilir Meta, kryekuvendari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike.

Atje ai është pritur nga kryetari në detyrë i PD, Lulzim Basha, me te cilin tashmë ka nisur takimin.  

Konjufca në vizitën e tij në Shqipëri po shoqërohet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.

10:21

Konjufca nis takimet në Shqipëri, takon Ruçin

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka nisur vizitën zyrtare në Shqipëri.

Takimi i tij i parë është me kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Pas takimit, të dy kryetarët do të kenë një deklaratë të përbashkët për media.

Ndryshe, Konjufca gjatë ditës së sotme do të takohet edhe me presidentin e Shqipërisë Ilir Meta dhe kryetarin në detyrë të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

07:45

Konjufca sot viziton Shqipërinë

(Kosovapress) - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, sot do të qëndrojë për herë të parë në një vizitë zyrtare në Shqipëri pas marrjes së detyrës.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kreu i Kuvendit të Kosovës do të pritet nga presidenti Ilir Meta, kryekuvendari Gramoz Ruçi dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Agjenda e vizitës:

10:05-11:15 Takim me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi

Vendi: Kryesia e Kuvendit

(Deklaratë për shtyp)

11:30-12:30 Takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta

Vendi: Presidencë

12:30-13:00 Takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha

Vendi: Selia e PD-së