Arbëri

Bajrami: Ambasadori Pardew u përfshi në të gjitha proceset e viteve 1990-të që kanë të bëjnë me shqiptarët

Kryeredaktori i Kohës Ditore, Agron Bajrami, ka kujtuar momente të James William Pardew, ish-ambasadorit të SHBA-së, i cili vdiq më 2 qershor të këtij viti. Bajrami ka shkruar në rrjetin social Facebook se Pardew ishte i përfshirë në të gjitha proceset e viteve 1990-të që kanë të bëjnë me shqiptarët, që nga negociatat e Kosovës e deri te proceset e Luginës së Preshevës dhe Maqedonisë.

“Në vitet 1997-2002, ambasadori Pardew ishte ndër njerëzit kryesor të Washingtonit në Ballkan, ndërsa ishte i përfshier edhe në grupin e ngushtë të diplomatëve perëndimorë që dhanë kotributin e tyre në përpilimin e Propozimit të Ahtisaarit, që shërbeu si bazë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Me natyrë të qetë dhe qëndrim të butë, Ambasadori Pardew ishte ndër ata që publiku nuk do ua njohë kurrë tërësisht kontributin e madh për lirinë dhe pavarësinë që Kosova ka sot. Por, edhe ajo që dihet publikisht mjafton që ta quajmë një mik të madh të Kosovës”, ka shkruar Bajrami.

Ai ka përmendur edhe faktin që edhe pas pensionimit, Pardew ka vazhduar të ngrisë zërin ndaj ideve “të dëmshme për Kosovën, siç ishte ajo për këmbimin e territoreve, apo edhe kundër politikës së administratës Trump ndaj Kosovës”

Bajrami ka përmendur edhe prapaskenat e punës së ambasadorit Pardew që do publikohen së shpejti nga Botimet Koha në librin “paqeruajtësit: Lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan"

“Ndërsa ne, gazetarëve, mund të na mbetet pak nga ajo që njeriu e fiton prej intervistave që nisin me ton zyrtar dhe përfundojnë me besim të ndërsjellë. James Pardew ishte shumë më shumë se një diplomat dhe zyrtar i lartë amerikan. Ishte njeri i përcaktuar në anën e së drejtës dhe paqes, kundër krimit dhe të ligës. Ishte njeri në anën e duhur të historisë. Dhe për këtë, flamurin e Kosovës në zemrat tona ta ulim sonte në gjysëm shtizë”, ka vazhduar ai.