2 perditesime
18:36

Mehanja: Ne si popull i kemi borxh Amerikës, jam krenare që jam pjesë e Ushtrisë amerikane

Pilotja kosovare, Valdeta Mehanja, në emisionin “Pro X” të KTV-së ka rrëfyer për përgjegjësinë e të mbajturit uniformën ushtarake dhe se si ndihet t’i shërbejë Ushtrisë amerikane, e cila ka dhënë kontribut vendimtar në çlirimin e vendit të saj.

“Besoj që ne si popull shqiptar i kemi borxh Amerikës dhe për këtë arsye jam shumë krenare dhe kam kënaqësinë më të madhe që jam këtu në Shqipëri, dhe që kemi pasur mundësi të bashkëpunojmë me Ushtrinë shqiptare. Për mua është një eksperiencë që nuk e kisha paramenduar”, shprehet ajo.

Ndër të tjera, ajo ka treguar edhe se sa shtete i ka vizituar si pilote helikopteri e aeroplani dhe sa e ka ndikuar kjo dinamikën e jetës së saj. Qëndrimin në Shqipëri si pjesë e trupave amerikane që po marrin pjesë në stërvitjen “Defender 2021”, Mehanja e ka përshkruar si një përvojë të papërsëritshme që gjithmonë e ka ëndërruar.

Në korrik, Këshilli Amerikan i Emigracionit e nderoi Valdeta Mehanjën me Çmimin e Trashëgimisë Amerikane, që e kanë marrë edhe figura si gjenerali Colin Powell, senatori i Amerikës, Daniel Inouye, dhe shkrimtarja e aktivistja, Gerda Weissman Klein.

18:13

Valdeta Mehanja: Kurrë nuk e kam menduar që do të vija në Shqipëri si ushtare amerikane

Valdeta Mehanja, pilotja për Black Hawk helikopter e Forcave Ushtarake Amerikane gjatë muajit maj të vitit 2021 ka vizituar për herë të parë Shqipërinë. Ajo ka qëndruar për disa ditë si pjesë e trupave amerikane që po marrin pjesë në stërvitjen “Defender 2021”. Kjo i ka dhënë emocione të mëdha pilotes nga Kosova, e cila qëndrimin në shtetin shqiptar e përshkruan si arritjen më të madhe.

DEK. “Programi ka qenë shumë i suksesshëm dhe ka qenë një lloj befasie edhe për mua, edhe për kolegët e mi se çfarë lloj mikpritjeje na kanë bërë shqiptarët këtu”, ka thënë Mehanja.

Nëntoger Valdete Mehanja nga Kosova tash e një kohë është pilote helikopteri me Regjimentin e Aviacionit 1-131, në Gardën Kombëtare të Alabamës. Qëndrimi në Shqipëri si pjesë e ushtrisë amerikane për të nënkupton një ëndërr që nuk kishte besuar që do ta realizojë ndonjëherë.

“Kur jam bërë pilote dhe jam vendosur në Ushtrinë amerikane kurrë nuk e kam menduar që vij në Shqipëri dhe fluturoj helikopter. Kjo është një arritje shumë e madhe për mua. Një ëndërr që s’kisha menduar që do ta përjetoj”, ka thënë ajo në emisionin “PRO X” të KTV-së.

Valdeta Mehanja përfundoi transicionin nga detyra aktive në Gardën Kombëtare në dhjetor të 2018-s dhe më 2019 u regjistrua në Shkollën e Oficerëve. Më pas, ajo nisi shkollimin për fluturim. Aty plotësoi ëndrrën e saj për t’u bërë pilote e “Black Hawk”.

 

17:51

Karriera në qiell e pilotes kosovare në Ushtrinë amerikane

Episodi i dytë i emisionit “Pro X” ju sjell rrëfimin e pilotes nga Kosova në Ushtrinë amerikane. Është kjo Valdeta Mehanja, e cila fëmijërinë e kaloi në kohë lufte. Kjo ishte arsyeja që para më shumë se dy dekadave, ajo së bashku me familjen të marrin rrugën për në Gjermani dhe ndjenja e të qenët refugjate kishte qenë pjesë e identitetit të përhershëm të saj. Ky emërtim e ka identifikuar gjithmonë si një bazë për t’ia matur arritjet deri sot.

“Jam vajza e dytë nga katër fëmijë. Atëherë ka qenë një jetë pak më e vështirë, kemi qenë refugjatë në Gjermani dhe në verën e vitit 2000 jemi kthyer përsëri në Kosovë”, ka treguar Mehanja.

Valdeta Mehanja, sot është pilote helikopteri në Ushtrinë amerikane. Rruga e saj deri te kjo pozitë karakterizohet nga dëshira për të qëndruar në qiell. Deri atje, Mehanja ndoqi një rrugëtim të gjatë plot sfida, të cilave ajo kishte vendosur të mos u dorëzohej.

“Kam punuar si kontraktuese në Irak dhe në Afganistan, pasi që kam kursyer para dhe kam shkuar në Floridë ku kam studiuar shkencën e Aeronautikës dhe atje kam filluar fluturimet privatisht me fakultet dhe pasi që e kam përfunduar, jam bërë instruktore dhe u kam dhënë mësim nxënësve. Më pas u hap një program që t’i bashkëngjitëm Ushtrisë amerikane dhe unë e motra i jemi bashkangjitur”, është shprehur tutje ajo.