Arbëri

Për 10 vjet: 114 mijë nxënës më pak në Kosovë, u rrit numri i mësimdhënësve

Në Kosovë, për dhjetë vjetët e fundit nëpër shkolla ka 114 mijë nxënës më pak. Përkundër kësaj, numri i mësimdhënësve është rritur për 2 për qind. Ministria e Arsimit thotë se janë duke punuar në një plan për ri-organizimin e rrjetit të shkollave. Në Kosovë, janë hiç më pak se një mijë klasa në tërë vendin që kanë më pak se 10 nxënës

Për periudhë dhjetëvjeçare, nëpër shkollat në Kosovë ka rënë numri i nxënësve për 26 për qind, ndërkohë që ka pasur rritje të numrit të mësimdhënësve për 2 për qind. Në raportin e Institutit GAP të titulluar “Shkollat e tepërta?”, identifikohet se në Kosovë 114 mijë fëmijë më pak e vijojnë procesin mësimor në shkolla, derisa numri i stafit në 19 komuna të Kosovës është rritur.

E rënia më e dukshme është shënuar në Komunën e Kamenicës, ku sipas Bekim Salihut të Institutit GAP, reforma e nisur nga Qëndron Kastrati është më se e nevojshme.

“Komuna e Kamenicës është duke u përballur me rënie shumë të madhe të numrit të nxënësve, përkatësisht ka pasur rënie prej 44 për qind. Për këtë, kryetari Kastrati ka ndërmarrë një reformë të ristrukturimit të shkollave, por ne konsiderojmë që kjo rezistencë ka qenë e panevojshme”, ka thënë ai.

Rënie e madhe e numrit të nxënësve është shënuar edhe në Junik, me 42 për qind, përderisa në këtë komunë numri i mësimdhënësve është rritur për 22 për qind. Në Komunën e Vitisë, në të cilën numri i nxënësve ka rënë për 39 për qind nga viti 2008/2009, personeli është rritur për 10 për qind. Po ashtu edhe në Viti ka rënie prej 39 për qind aq sa edhe në Dragash.

Lidhur me tepricën e mësimdhënësve, nga Ministria e Arsimit kanë treguar se planifikojnë të merren me ri-organizimin e rrjetit të institucioneve të arsimit parauniversitar.

“Ne i kemi 1,298 mësimdhënës më tepër, por kemi vendosur që ata të mbeten në sistem edhe këtë vit, ndërkohë që jemi duke punuar në ndryshimin e formulës së financimit që do të bëjë të mundur zvogëlimin e numrit të nxënësve në klasa, e me këtë, edhe përmirësimin e cilësisë. Po ashtu, MASHTI, në bashkëpunim me komunat, ka në plan të merret me riorganizimin e rrjetit të institucioneve të arsimit parauniversitar”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.

Në raportin e GAP-it, kanë nxjerrë edhe të dhëna të tjera. Salihu nga ky Institut, ka thënë se një mijë klasa në tërë territorin e Kosovës kanë më pak se 10 nxënës. Përkundër kësaj, Ministria e Arsimit ka bërë investime milionëshe në shkolla.

“Ministria e Arsimit gjatë periudhës 2015 – 2020 ka investuar 134 milionë euro në ndërtimin e shkollave të reja. Investimet nëpër shkolla po bëhen kur nëpër shkolla nuk po bëhen studime konkrete për të parë se duhet të bëhet riorganizimi i shkollave për të mos pasur nevojë për të mbajtur një numër kaq të madh të shkollave, për shkak që numri i nxënësve po bie”, ka thënë Salihu.

MASHTI, në vitin 2018 ka nxjerrë një Udhëzim administrativ për të rregulluar çështjen e investimeve kapitale për objektet shkollore. Kriter për këtë është edhe numri i nxënësve, ku në një paralele të ndarë duhet të jenë të paktën 84 nxënës dhe për shkollat fillore dhe të mesme të ulëta numri i nxënësve duhet të jetë 210.

Në të gjitha komunat funksionojnë 1,094 institucione edukativo-arsimore parauniversitare.