Arbëri

CSL-ja e konsideron skandaloz vendimin e Apelit për hidrocentralet në Deçan

Skandaloz po e konsideron vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit që tri hidrocentraleve të kompanisë “Kelkos” t’u lejohet rifillimi i prodhimit të energjisë në to, Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), e themeluar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Më 3 qershor, Apeli vendosi që të refuzojë propozimin për shtyrje të ekzekutimit të lejeve për tri hidrocentralet e “Kelkosit” në Grykën e Deçanit. Themelorja dy herë radhazi kishte pezulluar ekzekutimin e lejeve ujore dhe mjedisore për hidrocentralet “Deçani”, “Bellaja” dhe “Lumbardhi 2”, pas padisë së Vetëvendosjes në Deçan dhe shoqërisë civile. Por, në vendimin e Apelit, të cilin e ka siguruar KOHA, thuhet se Gjykata Themelore gabimisht ka aplikuar të drejtën materiale, kur ka vendosur që ta aprovojë kërkesën e paditësve-propozuesve dhe t’ua shtyjë ekzekutimin e vendimeve kontestuese të të paditurave. Në vendim përmendet se paditësit kanë përmendur faktin se me ekzekutimin e këtij vendimi do t’u shkaktohej dëm i pariparueshëm, pasi të njëjtëve po u cenohet prona ku është ndërtuar termocentrali dhe po u reduktohet uji që furnizon familjet e tyre, po pa provuar konkretisht ndonjë provë konkrete se në çfarë mase të njëjtëve u reduktohet furnizimi me ujë.

arb

E sipas reagimit të CSL-së, “Apeli ka dështuar të identifikojë dëmin e qartë e të pariparueshëm që hidrocentralet e kundërligjshme i shkaktojnë Deçanit, natyrës, banorëve paditës dhe të gjithë neve”.

“Me një vendim të tillë, Gjykata e Apelit abuzon diskrecionin gjyqësor dhe mbështet kompanitë që dëmtojnë interesin publik, ato që shkatërrojnë ambientin në formë kriminale. Kështu, Gjykata e Apelit e ka vlerësuar më të rëndësishëm interesin financiar të Kelkos Energy Sh.p.k. se sa interesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Me largimin e masës ndaj hidrocentraleve shkatërruese të natyrës në Deçan, Gjykata e Apelit ka dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe ka formuar dyshim të bazuar në paanshmërinë dhe pavarësinë e saj”, thuhet në reagim, të dërguar për mediat të shtunën.

Sipas GLPS-së, këto vendime e vënë në pah edhe më shumë nevojën urgjente për vetting “të gjyqtarëve në Kosovë, ata të cilët po e humbin të ardhmen e këtij vendi, duke u shndërruar në klientë të kompanive private me qasje keqpërdoruese ndaj ligjit”.

”Me anë të këtij vendimi Gjykata e Apelit dëmton natyrën dhe shkel të drejtat e qytetarëve, dhe minon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Dhënia e lejeve për hidrocentrale në kundërshtim me ligjin duhet menjëherë të ndalohet dhe të ndëshkohet nga gjyqësori, sepse një praktikë e tillë e rrezikshme mund të sjellë dëme në natyrë që asnjëherë nuk mund të riparohen. Interesi publik për të mbrojtur natyrën dhe të mirat e saj duhet vënë gjithmonë përpara interesave të ngushta politike e klienteliste. Ne ua kemi me borxh gjeneratave të reja që ta ruajmë ambientin dhe të kundërshtojmë kompanitë dhe institucionet publike që për interesa private po e shkatërrojnë atë”, thuhet në fund të reagimit.