Ende pa shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale e pa zyrtarizim të të gjithë kandidatëve të partive politike për kryetarët e komunave, kandidati i PDK-së për kryetar të Fushë-Kosovës, Rrahim Tërnava, ka thënë se do të japë dorëheqje nëse do të zgjidhej kryetar e nëse nuk do të siguronte ujin për këtë komunë.
“Nëse brenda një viti e gjysmë deri 2 vite nuk arrijmë të furnizojmë të gjitha fshatrat e Fushë-Kosovës me ujë, unë jap dorëheqje si kryetar i Komunës, nuk rri asnjë ditë më nëse brenda 24 muajve nuk furnizohen me ujë të gjitha fshatrat. Nuk është punë që kërkon aq shumë investime, nuk duhet ajo punë të jetë as në programet e partisë sepse është elementare”, ka thënë ai në Interaktiv.
Tërnava ka këmbëngulur në fjalën e tij se nëse zotimin për furnizim me ujë të të gjitha fshatrave në Fushë-Kosovë nuk do ta përmbushte si kryetar i zgjedhur, atëherë do të jap dorëheqje.
“Jap dorëheqje nga kryetari, asnjë ditë punë nuk e vazhdoj. Kjo punë nuk duhet të diskutohet, këto projekte duhet të bëhen nga ekspertë me të cilët kam biseduar”, ka shtuar ai.