Arbëri

LDK-ja paralajmëron “risi” në kandidaturat për zgjedhjet lokale: Përparim Rama është apolitik

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar kandidatura risi në zgjedhjet lokale të vjeshtës, ndërsa ka thënë se kandidati i partie për të parin e Prishtinës, Përparim Rama, është apolitik.

“Ai është pjesë e LDK-së në këtë garë. Është pjesë e jona dhe jam krenar për këtë punë, por duhet ta kuptoni që Përparim Ramën s’e kemi sjellë këtu e as s’ka ardhë që të merret me dialog. Ai s’merret me politikë prandaj është apolitik. Përparim Rama merret me kryeqytet. S’do ta dëgjoni të flasë për dialog, për liberalizim e konfliktet në Lindjen e Mesme. Do ta dëgjoni si ta rregullojë transportin në Prishtinë, parkingjet, hapësirat publike, lagjet e hapësirat gjelbëruese. S’ka mu marrë fare me politikë. Është njeri i kryeqytetit prandaj është zgjidhja më e mirë”, ka thënë ai në një debat të organizuar nga Lëvizja FOL.

Abdixhiku s’ka komentuar anulimin që ia pati bërë projektit të Ramës dhe të një kompanie tjetër për një lagje në afërsi të liqenit të Badovcit, teksa e ka lavdëruar atë si “arkitekt që njihet në botë për gjelbërim”.

Ka thënë se edhe në kandidaturat tjera “do të ketë risi”, ndërsa ka shtuar se LDK-ja do të kandidojë edhe gra për të parat e komunave.