Arbëri

Frikë nga valë e re migrimi

Besa Qerreti ndodhet me trup në Kosovë e me mendje në Gjermani. Disa herë në javë, ajo viziton një qendër në Prishtinë, nga shumë sosh ku profesionistë fushash zhvillojnë disa shkathtësi përpara se ta braktisin Kosovën, në përpjekjen për të gjetur një punë që u siguron të ardhura shumëfish më të mëdha.

“Në momentin që kam kërkuar vend të punës, kam menduar që për një të ardhme më të mirë, për kushte më të mira e kam gjetur si opsion me dalë jashtë vendit, për shembull sikur që është Gjermania”, thotë ajo.

Sikur Besa, edhe të tjerë infermierë po e ndjekin kursin e gjuhës dhe po i përvetësojnë disa aftësi të reja profesionale, organizuar nga një kompani me bazë në Prishtinë që rekruton profesionistë shëndetësorë për tregun gjerman. Ata lidhin parakontrata me institucione shëndetësore në Gjermani, të cilat u ndihmojnë për të siguruar një vizë pune.

Kosova përjetoi një valë të re migrimi ilegal në 2014-n. brenda pak muajsh, llogaritet të kenë ikur më shumë se 100 mijë qytetarë.

Në vitet vijuese, ky lloj migrimi u zëvendësua me atë legal, që realizohet kryesisht nëpërmjet lidhjes së kontratave për punë me biznese në Perëndim. Gjermania do të lëshojë këtë vit 5,500 viza pune, e numër të madh sish janë duke lëshuar edhe shumë vende tjera, që nga Kroacia e Sllovenia, e deri tek vende si Hungaria.

Pandemia e nisur fillimvitin e shkuar, frenoi në shkallë të lartë edhe këtë formë migrimi.

Por, në draftin e një Strategjie, autoritetet kosovarë kanë shprehur drojën për valë të re ikjesh, me të kaluar pandemia.

“Ndikimi i pandemisë Covid-19 në sektorin privat mund të rezultojë me humbje të vendeve të punës dhe rrjedhimisht nxitje të një vale të re të mundshme të emigrimit”, thuhet në dokumentin që akoma nuk është miratuar.

Kosovës janë duke i ikur kuadrot, ndonëse investon shumë në to. Për vijimin e nivelin fillor të çdo banori të Kosovës, Qeveria shpenzon 4,700 euro, për arsimin e mesëm 5,650 euro, e për atë universitar shpenzon 9,700 euro.

Organizata Demokraci Plus i ka marrë për referencë këto shpenzime, kur ka hulumtuar dëmin në ekonomi që ka migrimi i kuadrove. Hulumtimi do të publikohet të mërkurën.

“Nëse këto të dhëna individuale zbatohen për komponentin emigrant të popullsisë, rezulton që kostoja e përgjithshme e arsimimit të njerëzve të cilët largohen nga Kosova variron prej 180 deri në 205 milionë euro brenda vitit”, thotë Albana Rexha, autore e hulumtimit.

Rexha argumenton se migrimin i njerëzve me arsimim sipëror paraqet humbje potencialit për ekonominë.

“Diçka që është menduar ose është konsideruar nga ana e qeverisë si investim, pra shndërrohet në shpenzim, pasi që ata njerëz dalin jashtë vendit dhe mundësia që ata të kthehen dhe të investojnë në Kosovë është shumë e vogël”, thotë ajo.

Në pesë vitet e parapandemisë, ka shënuar rritje të vazhdueshme kurba që tregon numrin e kosovarëve që për arsye punësimi, kanë siguruar leje qëndrimi në shtetet anëtare të BE-së dhe Zonës Schengen. Në vitin 2015, të tillë qëndrim kishin siguruar 753 kosovarë, kurse gjatë vitit 2019 të drejtë të tillë kishin siguruar 16,783 kosovarë.

E, Bashkimi Evropian ka vënë në funksion teknologjinë, për të ngritur mure digjitale për emigrantët ilegalë. Të tilla janë duke u testuar gjatë muajve të qetë të koronavirusit në kufirin njëzetkilometërsh të Greqisë me Turqinë.

Muret e këtilla nuk do të bëjnë punë për Besa Qerretin. Mbi to, do të fluturojë me avion, sapo ta përfundojë kursin e gjermanishtes.

“Mendoj që kemi një siguri për një të ardhme më të mirë”, thotë Qerreti.