Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar se deri në fund të vitit pritet që Kosova t’i ketë rreth 2 milionë doza të vaksinës anti-COVID.
Duke raportuar para Komisionit rreth menaxhimit të pandemisë dhe procesit të vaksinimit, Vitia ka thënë se procesi i sigurimit të vaksinave do vazhdojë edhe më tutje.
“Deri në fund të këtij viti do kemi diku rreth 2 milionë doza të vaksinës dhe kjo do të vazhdojë. Deri më tani në Kosovë kanë ardhur 178 mijë doza. Edhe nga Pfizeri janë siguruar mbi 1 milionë e 200 mijë vaksina”, ka thënë ai.
Ministri Vitia ka shtuar se plani i vaksinimit në masë synohet të nis nga 15 qershori, ku sipas tij, vaksinimi do intensifikohet.
“Së fundmi kanë ardhur mbi 100 mijë të kompanisë Pfizer, numri i dozave të siguruara është 163.020 përmes skemës. Kosova ka kapacitet të zinxhirit të ftohtë. Procesi i vaksinimit po vazhdon ga ekipet e trajnuara. Do bëjmë rritjen e stafit në procesin e vaksinimit. Nga 89 ekipe dhe 178 infermierë, do bëhen 190 ekipe shtesë me 400 infermierë”, ka thënë tutje.