Arbëri

Deputetët siguruan deri në 100 euro në muaj për mbushje telefoni

Nga buxheti i shtetit janë paguar vitin e shkuar rreth 60 mijë euro vetëm për telefonatat e deputetëve. Deri në 100 euro është vlera e kartelave gërvishtëse me mbushje celulare, që një kategori deputetësh e ka siguruar gjatë një muaji. Në shoqërinë civile kërkojnë të hetohen edhe shpenzimet në telefonata, por edhe ato për mëditje dhe të tjerat të bëra në bufe gjatë vitit 2020, vitit kur Kuvendi përmbushi vetëm në shkallë 11 për qind agjendën legjislative

Pak punë e shumë telefonata me para të buxhetit të shtetit kanë bërë gjatë vitit 2020 deputetët e legjislaturës së shkuar. Brenda një viti, ata kanë harxhuar rreth 60 mijë euro.

Deri në qershor, kartela gërvishtëse në vlerë 100 euro për muaj ka marrë secili nga kryetarët e grupeve parlamentare, e më pas nga 60 euro për muaj, shkaku që Kryesia e kishte ndryshuar vendimin. Kësisoj, për një vit, secili nga ta ka siguruar mbushje celulari në vlerë 920 euro.

Mbushje në vlerë 60 euro deri në qershor kanë marrë edhe secili nga kryetarët e komisioneve funksionale, e më pas shuma u ishte reduktuar për 20 euro.

Ndërkaq, deputetët janë pajisur për çdo muaj me kartela gërvishtëse në vlerë prej 30 eurosh.

Në shoqërinë civile thonë të jenë të stërtepruara shpenzimet e këtilla.

Megi Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL, thotë të mos jenë të arsyeshme kompensime të këtilla për telefonata, në kohën kur thuajse të gjitha komunikimet kryhen nëpërmjet platformave në internet.

“Nuk mund t’i shohim këto shpenzime enorme, jashtë normales, nga një deputet. Nëse e sheh 100 euro shpenzim në telefon brenda një muaji, vërtet që janë të tepërta”, thotë Demolli. “Ne të gjithë kemi telefona dhe e shohim se sa shpenzime mund të bëjmë. Janë shuma shumë të mëdha, që mendoj se duhet të rishikohen dhe të vendoset një standard i ri edhe në këtë fushë”.

Për dallim nga shefat e grupeve parlamentare, kryetarët e komisioneve dhe deputetët, janë anëtarët e Kryesisë ata që kanë pasur në shfrytëzim numra post-paid, shpenzimet e të cilëve ua ka hequr Kuvendi. Mesatarisht, ata kanë harxhuar sa një anëtar komisioni.

Vjosa Osmani si kryeparlamentare, bashkë me anëtarët e kabinetit të saj, ka shpenzuar rreth 6 mijë euro. Më shumë se ish-kryeparlamentarja, e cila brenda vitit ka harxhuar 504.89 euro, kanë bërë shpenzime në telefonata pesë këshilltarë të saj: Faton Peci, Vehbi Miftari, Artan Murati, Bekim Kupina, Jeta Statovci dhe Learta Hollaj, të cilët deri në qershor kishin siguruar mbushje mujore prej 70 eurosh, e në pjesën e dytë të vitit mbushjet mujore ishin në vlerën 40 euro.

Edhe nga ish-anëtarët e Kryesisë, më pak se Osmani ka bërë shpenzime vetëm Slavko Simiq, me 478.54 euro. I pari me shpenzime në këtë kategori është Memli Krasniqi, që ka harxhuar 695.94 euro, i dyti Fikrim Damka 602.06 euro, pastaj Kujtim Shala 568.54 euro e Arbërie Nagavci me 517.11 euro.

KOHA ka publikuar edhe shpenzime të tjera të deputetëve.

Rreth 4 milionë euro të buxhetit të shtetit kanë shkuar në paga dhe mëditje të ligjvënësve gjatë vitit të parë të pandemisë. Deputetët arkëtuan deri në 38 mijë euro pagë vjetore.

Edhe në muajt kritikë, kur Kosova ishte mbyllur, bufeja e Kuvendit i ka mbajtur dyert hapur. Në vitin e pandemisë, deputetët dhe stafi politik mbështetës kanë harxhuar në të 61 mijë e 292 euro, ndërsa faturat e të gjitha këtyre shpenzimeve u janë mbuluar nga buxheti i shtetit. Krahas bufesë, ligjvënësit kanë organizuar edhe dreka zyrtare në restorantet më ekskluzive të kryeqytetit.

Megi Demolli thotë të mos jenë të justifikueshme shpenzimet dhe bën thirrje për hetime.

“Shpenzimet e cekura janë vërtet shumë të mëdha, e ndoshta edhe të pajustifikueshme, marrë parasysh se vitin e kaluar kishim një vit pandemie. Shumica e deputetëve edhe kanë munguar shumë nëpër seanca... Sa për ilustrim, Ligji për rimëkëmbjen ekonomike ka dështuar, nëse nuk gaboj, rreth 13 herë për t’u votuar, pikërisht për shkak të mungesës së kuorumit”, rikujton Demolli. “Kuvendi i vitit të kaluar ka punuar mjaft pak. Jemi të gjithë dëshmitarë dhe e dimë sa kanë punuar dhe shifra që e prezantuat ju se sa kanë marrë mëditje është shumë e lartë. Duhet të hetohet gjithsesi një gjë e tillë se kush ka marrë mëditje dhe a ka qenë vërtetë aty. Gjithashtu, edhe shpenzimet e bëra në bufe. Nëse nuk gaboj, për tre muaj ne kemi qenë të izoluar dhe nuk ka punuar asnjë lokal, asnjë gjë tjetër. Si rrjedhojë, s’ka punuar as bufeja. Ishte dashur të mos punojë... pra, si është shpenzuar tërë ajo shumë”.

Në vitin e shkuar, Kuvendi në kohën më të madhe ka qenë në pauzë. Sipas raporteve të monitorimit të Kuvendit, gjatë vitit 2020 deputetët kanë përmbushur vetëm në shkallën 11 për qind agjendën legjislative.