Skadimi i barnave që qëndrojnë me vite në Depon Qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë, ka mundur të parandalohej nëse do të planifikohej në mënyrë të saktë blerja e tyre. KOHA ka krahasuar planifikimet e blerjeve të QKUK-së me kohën kur disa produkte ishin para skadimit. Në vend se të bëhej shfrytëzim racional, spitalet kanë hapur tenderë të rinj dhe kanë mundësuar që disa barnave t’u skadojë afati duke pritur në rafte
Me mbi 250 mijë tableta të antibiotikut të quajtur Rifampicinë planifikonte që të furnizohej Qendra Klinike Universitare e Kosovës në vitin 2017.
Plani përfshinte edhe spitalet rajonale.
Në dokumentet e planifikimet që i kishte pasur në dispozicion KOHA atëkohë, sasia e planifikuar ishte rritur.
Por në periudhë përafërsisht të njëjtë ky lloj antibiotiku do të përfundonte me afat të skaduar, në Depon Qendrore të Ministrisë së Shëndetësisë.
Njëjtë po ndodhte edhe me të tjera produkte. Planifikohej blerja e tyre e në anën tjetër sasive të produktit të njëjtë po u skadonte afati.
Rreth 10 mijë ampula Metoprolol në vitin 2017 kishte planifikuar për blerje ShKSUK-ja. Në anën tjetër, këtyre pakove të mbushura me këtë lloj produkti u ka skaduar afati një vit pas.
Çmimi i një ampule të tillë në atë kohë kushtonte rreth 4 euro e gjysmë.
Njëjtë ka ndodhur edhe me materialin shpenzues.
Ankesat me të mëdha të pacientëve vite me radhe janë lidhur me furnizim me insulina.
Miliona euro çdo vit ndan Ministria e Shëndetësisë për disa lloje të insulinës të cilat i kontrakton.
Përderisa mungonin në Qendra të Mjekësisë Familjare, përfunduan në këtë mënyrë.
KOHA ka 1 muaj që ka kërkuar qasje në të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë për këto depo, por ata nuk kanë kthyer përgjigje. Kërkesës së KOHËS për këtë çështje nuk i janë përgjigjur as Agjencia Kosovare për Produkte Mjekësore e as Inspektorati Farmaceutik ani pse janë përgjegjëse për depot e barnave.
Të premten ka kontaktuar përgjegjësin e kësaj depoje, drejtorin e divizionit për Farmaci, sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, drejtorin për media në këtë institucion, kabinetin e ministrit, por askush nuk ka pranuar të flasë rreth kësaj çështjeje.
KOHA ka raportuar për gjendjen alarmante në Depon Qendrore të Barnave që mbikëqyret nga Ministria e Shëndetësisë. As ajrosje, as ndriçim, as izolim e as kushte për ruajtjen e barnave nuk ka në këtë institucion. Brenda një ambienti ruhen bashkë barnat me afat e ato të skaduara. Në udhërrëfyes, të cilët gjendën online, ka rregulla specifike se si ruhen barnat me afat dhe ato pa afat. Të gjitha këto janë plotësisht të kundërta me mënyrën qysh aktualisht i ruan Ministria e Shëndetësisë.
E Ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna të sakta për sasinë e barnave të skaduara.