2 perditesime
21:15

Haziri: U dorëzua i gjithë dokumenti për dialogun, Kurti t’i ftojë liderët në takim të përbashkët

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka folur për takimin me kryeministrin Albin Kurti dhe përmbajtjen e tij.

Ai ka thënë se takimi me Kurtin ka qenë rreth dialogut dhe vetëm i karakterit informues, ndërsa shtoi se u fol edhe për dokumentet e përfolura se ish-kryeministri Avdullah Hoti nuk i ka dorëzuar Qeverisë së re.

“Patëm nevojë të bëjmë një sqarim. Është konstatuar se Hoti krejt atë material që e ka pasur për 6 muaj punë si kryeministër në dialog ia ka dorëzuar Qeverisë. Atje kishte hezitime, nevojë të arsyetohej para nesh sepse u tha zero dokumente para ndërkombëtarëve. E dyta, ishte oferta jonë platforma për dialog që është debatuar. Si dokument ka mbetur të shqyrtohet nga kryeministri”, ka thënë Haziri.

Ai ka thënë se LDK-ja nuk do të thotë se bëhet pjesë e ekipit të dialogut me propozimet që i ka bërë ajo për dialogun.

“Jo, ne për këtë takim e kemi bë këtë dokument, nëse një dokument përfshihet apo merret është çështje që ne dialogun e njohim si mekanizëm të vetëm për të zgjidhur problemet. Ky dokument na detyron që prej kuvendit të punojmë”.

Haziri ka shtuar se në takim propozuan që “Kurti t’i ftojë liderët në takim të përbashkët e jo në individuale”.

Shtyrja e dialogut, Haziri ka thënë se ndodhi për shkak të mosgatishmërisë së Kurtit për të shkuar në dialogim me Serbinë.

“Është shtyrë për shkak të mungesës së përgatitjes. Kurti nuk ka qenë i përgatitur të shkojë”.

Në bazë të deklaratave të mëhershme sa ishte në opozitë VV-ja, Haziri ka thënë se ka pritur sjellje tjetër nga Qeveria tash.

Ai ka thënë se para Serbisë, Kosova duhet të bëjë dialog me serbët e Kosovës.

“Kemi nevojë për dialog të brendshëm me serbët e Kosovës para Serbisë. Po shihet një lloj rishikimi politik. E kam pritë një sjellje të tillë, sepse në takimet Kosovë Serbi nuk ka kushte, asnjë palë nuk mund të vendosë kushte në dialog".

Pas mandatit, Haziri i interesuar në "jetë më të qetë" politike

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se po zhvillon konsultime nëse do të rikandidoj për kryetar të Gjilanit, edhe pse është shprehur se është më i fokusuar në jetë “më të qetë politike”.

“E kam thënë gatishmërinë timë për tu tërhequr. Kërkesat e brendshme të strukturës, lidershipi, lideri i LDK-së, me mendu çështjen e kandidimit dhe me sjellë një vlerësim në kohën kur mundem ta realizoj sepse e kanë kuptuar vullnetin tim për tërheqje nga një garë. Do ta vlerësoj, nëse më pyet edhe familja ime të solidarizohet me mua, ne jemi duke u përgatitur për një jetë tjetër, një jetë më të qetë politike dhe më shumë me jetën private. Jam në konsultime të brendshme, do vazhdoj në javët në vazhdim, ka emra kredibilë në Gjilan që mund t’i fitojnë zgjedhjet”, ka thënë ai.
 


Haziri: Nuk është zgjedhur rastësisht të sulmohet Donika Gërvalla

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se nuk është e rastësishme që po sulmohet ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla. Sipas tij, Gërvalla kishte një rol aktiv në ditët e vështira të LDK-së.

“Me ata që janë në listën e Vjosës kemi raporte kolegiale ashtu si kemi pasur para zgjedhje. Donika Gërvalla është emër i njohur. Nuk është zgjedhur rastësisht të sulmohet Donika në listën e 15 ministrave. Donika e ka pas një rol aktiv në ditë të vështira të LDK-së, në kohën e luftës. Janë disa kampe politike që nuk ta falin, nuk të harrojnë. Për aq sa e njoh, korrektësia, serioziteti dhe angazhimi i saj është përtej pritjeve tona”, tha Haziri.

20:45

Haziri konfirmon disa kandidime për kryetarë komunash, përmend Ramën si propozim për Prishtinën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka konfirmuar se po planifikohet që në zgjedhjet lokale, në tetë komunat në të cilat LDK-ja i fitoi zgjedhjet në vitin 2017, të kandidohet me kryetarët e njëjtë.

Haziri në “DESK” të KTV-së foli edhe për kandidaturën e Përparim Ramës për të qenë në garë për Prishtinën nga LDK-ja, duke thënë se ai është një nga emrat e përfolur, por nuk është i vetmi.

“Tash jemi bindur që duhemi me dalë përtej vetes. Mund të konfirmoj që Rama është një nga emrat që është folur për Prishtinën, por nuk është emri i vetëm. Emri i tij është përtej çdo partie politike. Në ditët e ardhshme kryetari Abdixhiku do të takohet me të, pastaj ta shohim si rrjedhin gjërat. Në tetë komunat fituese të vitit 2017, pritet që kryetarët fitues të kandidojnë përsëri. Janë pastaj vendet si Mitrovica, Gjakova e Prizreni ku i kemi humbur në vitin 2007 dhe më nuk kemi arritur t’i kthejmë. Jemi duke folur për këto qytete për emra brenda komunitetit të LDK-së, por do të shohim edhe përtej partisë. Pastaj është Podujeva që e kemi humbur në zgjedhje të jashtëzakonshme, por atje kemi një kandidat potencial, është një doktor shumë i dashur për qytetin, një ish-deputet i legjislaturës së kaluar, të cilit emri s’mund t’ia përmend pasi ende nuk është konfirmuar asgjë. LDK-ja ka gabuar në vitin 2006, por nuk duhet të gabojë më. Një emër kredibil e zgjon votuesin”, u shpreh Haziri.

Sipas Hazirit, këto çështje reformuese brenda LDK-së janë diskutuar që nga viti 2015, pasi ai thotë se është ithtar i unitetit.

”Është diskutuar kjo çështje prej vitit 2015, pasi prej aty nuk kemi pasur rezultate të mira. Duhet të rithemelohemi, nuk mund të vazhdojmë të konsumojmë partinë deri në atë pikë ku nuk i duhet askujt, ku nuk ka as mbështetje qytetare. Jemi ndarë një grup punues, dhe kemi kontakt ditë për ditë me degë. Unë jam ithtar i ndërtimit të uniteteve. Partitë politike te ne janë fabrikë e llafeve. Në çdo humbje, partitë kërkojnë fajtorin, në vend se të mendojnë se si të dalin nga situata. Kjo duhet të ndryshojë, unë jam ithtar i kësaj. Një betejë politike kërkon guxim”, deklaroi ai.

20:29

Haziri: Anëtarësia s’ia fali LDK-së formimin e Qeverisë pas prishjes së koalicionit me VV-në

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se nga diskutimet me anëtarësinë e partisë kanë parë që rezultati i dobët i zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit ka ardhur pasi kësaj pranie elektorati s’ia ka falur formimin e Qeverisë, pasi prishi koalicionin me Vetëvendosjen.

Në emisionin “Desku” në KOHA, Haziri ka thënë se LDK-ja e ka fajin vet për rezultatet që e vunë në pozitën e tretë, pas VV-së e PDK-së.

“Një analizë është bë tashmë, ish-kryetari Isa Mustafa dha dorëheqje e u zgjodh kryetari i ri. Po bëhet rimobilizim. Pas këtyre zgjedhjesh ka filluar një rund analizash e diskutimesh. Do të vazhdohet me angazhim për zgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet lokale të vjeshtës. LDK-ja për fajin e vet duhet ta konsiderojë dhe vlerësojë pakënaqësinë e veprimtarëve dhe votuesve. Prej tetorit 2019 dhe 14 shkurt 2021 e ka vlerësimin më të madh për apo kundër angazhimeve të saja, për vendime të mira apo të gabuara. Rezultatet dolën se pakënaqësia ka kulmuar më 14 shkurt, jo duke mosvotuar LDK-në, por duke votuar rivalen e LDK-së”, ka thënë ai fillimisht.

Sipas tij, nga diskutimet në terren është parë që anëtarësia e ka lexuar drejt prishjen e koalicionit me VV-në, por jo marrjen e përgjegjësisë për të udhëhequr më pas.

“Anëtarësia bën me gisht nga ne, në të gjitha nivelet e takimeve. I vlerësojnë vendimet e gabuara të LDK-së. Fajësohet prishja e koalicionit, nga afër vendit të parë doli e treta, dhe marrja e përgjegjësisë. Është lexuar drejtë kjo, por s’është falë marrja e përgjegjësisë. Është dashtë sipas tyre LDK-ja të dalë në opozitë”, ka deklaruar Haziri.

Sipas tij, votuesit e LDK-së në zgjedhjet e fundit e kishin “më të lehtë të dilnin te VV-ja”, pasi aty gjendej nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, me iniciativën e saj.

“Ishte lehtësim për ta që pakënaqësinë e tyre më lehtë ta shprehin duke e votuar Vetëvendosjen”, ka thënë ai.

LDK-ja vitin e shkuar prishi koalicionin me VV-në vetëm pak muaj pasi morën pushtetin. Pas rrëzimit të Qeverisë, ajo e mori përsipër udhëheqjen deri kur u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.