Arbëri

Aliu për shpronësimet: Ministria ua ka rreth 180 milionë euro borxh pronarëve të tokave

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se të gjitha të dhënat për shpronësimet që janë bërë për implementim të projekteve infrastrukturore do të analizohen.

“Të gjitha informatat që dalin, kontratat e shpronësimeve, do të publikohen dhe analizohen. Së pari, si ministri jemi në analizë të shpronësimeve dhe mënyra e vlerësimit si ka shkuar”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Aliu ka thënë se ministria të cilën ai drejton sot, ka rreth 180 milionë euro borxhe për shkak të mënyrës si kanë shkuar shpronësimet në të kaluarën.

“Kemi raste ku janë bërë shpronësime të panevojshme, pasi shumë prej atyre pronave janë lëshuar për qira dhe nga ana tjetër kemi projekte që janë iniciuar pa ndodhë shpronësimi. Kjo e ka vu në pozitë të keqe ministrinë pasi nuk ka mundë t’i realizoj projektet. Këto prona mund të shpronësohen dhe kur shpallen me interes nacional, qeveria mund t’i shpronësojë detyrimisht ato, por nuk ka pasur shpronësime të tilla. Sot kemi hyrë në situatë mjaft të rëndë kur ministria e mjedisit i ka rreth 180 milionë euro borxhe nga vendimet e gjykatave nga ankesat që i kanë bërë pronarët e tokave ku infrastruktura rrugore ka kaluar nga prona e tyre dhe shpronësimet nuk janë bërë me kohë”, ka thënë Aliu.

Ministri Aliu ka thënë se projekteve të mëparshme u ka munguar procedura paraprake e mirëfilltë.

“Komplet gjendja duhet të rishikohet, të analizohet gjendja ekzistuese sepse kemi zhvillime të paplanifikuara, shpesh edhe pa studime fizibiliteti fare. Janë devijuar trasat, janë ndryshuar varësisht vendimeve që janë marrë aty për aty”, ka shtuar Aliu.