Heqja e kufizimit të lëvizjes e vaksinimi kundër COVID-19 i sa më shumë qytetarëve janë kërkesat kryesore të komunave të Kosovës drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.
Në lidhje me rishikimin e mundshëm të masave dhe për efektin e tyre deri tani, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të mbajë një takim virtual gjatë së mërkurës me kryetarët e komunave. Infektologët thonë se lehtësimi i masave duhet të ndodhë me kujdes të shtuar.
Megjithatë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Izet Sadiku, thotë se edhe pse numri i të hospitalizuarve ka rënë ditët e fundit, qytetarët nuk duhet të mos i respektojnë masat edhe më tutje.
“Duhet me qenë shumë të kujdesshëm në masa, sepse ne e dimë që përkundër rënies së numrit dhe kemi pasur në vende të tjera evropiane ka qenë shumë i rezervuar në veprimet që i bëjnë dhe se lirimi i tyre duhet të bëhet me rekomandim të Institutit Kombëtar të shëndetit publik”, tha Sadiku.
E heqjen e kufizimit të lëvizjes për qytetarët e imunizimin e tyre, janë duke e kërkuar kryetarët e komunave të Kosovës.
“Do ta diskutojmë situatën aktuale dmth sa ka ndikuar masat deri më tani, efekti i tyre në teren dhe a duhet të vazhdohet me këtë trend, sepse jemi dëshmitar se trendi i uljes së rasteve pozitive është pozitiv sepse po ulet, dhe konsiderojmë që ka ardhur koha e rishqyrtimit të masave aktuale sepse rishqyrtimi i tyre do ndihmojë në zhvillimin ekonomik aktual”, tha Sazan Ibrahimi i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Për gjendjen me pandeminë e rishikimin e masave kundër COVID-19, kryetarët e komunave, të mërkurën, do të zhvillojnë takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Më 18 prill, Qeveria e Kosovës vendosi masat e përgjithshme në nivel të vendit, për të parandaluar përhapjen e COVID-19, duke vendosur kufizimin e lëvizjes, nga ora 22:30, e duke ua ndaluar punën bizneseve nga ora 22:00.
E me anë të protestës, gastronomët kanë kundërshtuar këto masa, duke kërkuar lehtësimin e tyre.