Arbëri

Mblidhen rreth 2 mijë nënshkrime për faljen e gjobave të qytetarëve gjatë pandemisë

(KosovaPress) - Partia Socialdemokrate (PSD) organizoi një peticion për qytetarë me moton “Të Falen Gjobat e Pandemisë”.

Për dy ditë PSD ka mbledhur rreth 2 mijë nënshkrime. Ndërsa kjo parti pas mbledhjes së 10 mijë nënshkrimeve të qytetarëve do ta dorëzojë në Kuvend një projektligj për faljen e 200 mijë gjobave të qytetarëve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Nol Nushi nga PSD tha për KosovaPress se falja e gjobave të qytetareve dhe ndërmarrjeve nxjerrë përfitues qytetarët. Nushi thotë se edhe pozita duhet të votojë këtë projektligj pasi që votoi 11 milionë euro për rrymën e serbëve në Veri të vendit.

“Grupi prej 10 mijë qytetarëve mundet me prezantu iniciativë ligjore apo projektligj të cilën e dorëzon në Kuvend dhe ai futet në procedura të rregullta të Kuvendit që trajtohet në seanca të radhës. Fokusi kryesor janë njerëzit pra personat fizik, mirëpo ne i kemi fut aty edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që kategorizohen me ligjet e Kosovës, mirëpo gjobat nga 200 mijë e më shumë gjoba që janë shpërnda, 90% prej tyre janë ndaj personave fizikë. Në rast se ky ligj miratohet në Kuvend që unë besoj edhe shpresoj që do të miratohet përfitues do të jenë qytetarët kryesisht", tha ai.