Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se Kosova do të ketë rrugë jo të lehtë përpara në tentimin e saj për kthim në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) dhe Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Në ditën kur Qeveria miratoi vendimin për ratifikimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, Nagavci në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kthimi i Kosovës në këto dy institucione do të jetë më i vështirë sesa pranimi për herën e parë.
“Nuk do të jetë rrugë e lehtë. Madje për bindjen time, rikthimi në to do të jetë edhe më i vështirë sesa pranimi për herën e parë sepse tani pos që janë edhe një varg kriteresh për rianëtarësim është edhe një proces i kompromentuar nga ndërhyrjet politike në të kaluarën”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se nga fillimi i mandatit po punohet për plotësimin e kritereve për rikthim. Ka thënë se kërkesat janë për miratim të projektligjit për AKA-në, lokacioni i ri dhe plotësimi i institucionit me staf.
Nagavci është zotuar se s’do të lejohet ndërhyrje politike në KSHC, ndërsa ka thënë se shteti do të jetë i fokusuar edhe në gjetjen e një zgjidhjeje për studentët që kanë diploma nga institucionet arsimore që funksionuan pa i përmbushur kriteret.
Në vitin 2014, AKA-ja u pranua në ENQA, kurse në vitin 2015 në EQAR, mirëpo të dyja e përjashtuan për shkak të ndërhyrjeve politike në këtë agjenci të ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj, dhe ish-ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.