Arbëri

Meta hetohet për dhënien e shtetësisë me procedurë të përshpejtuar qytetarëve të Kosovës

 

Një pjesë e listës prej 382 personave që kanë përfituar nga dekretet e presidentit Meta janë familjarë të krerëve të politikës së Kosovës, të afërm të këngëtarëve nga Kosova dhe individë e familje të tjera nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Meta ka përdorur klauzolën e “interesit kombëtar”, duke ua dhënë shtetësinë për “merita të veçanta”, ndonëse shumica e përfituesve nuk plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 9 të ligjit për të marrë shtetësinë shqiptare

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, do të hetohet nga Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e tij edhe për dhënien e shtetësisë shqiptare me procedurë të përshpejtuar personave që janë kryesisht nga Kosova. Meta nuk është paraqitur të martën në Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij, duke e quajtur këtë të fundit jokushtetues, të palegjitimitet dhe jashtë afateve të funksioneve të Kuvendit.

Presidenti i Shqipërisë, bëhet e ditur se ua ka dhënë shtetësinë shqiptare me procedurë të përshpejtuar 382 personave, ku 360 prej tyre janë shqiptarë të Kosovës dhe një pjesë e vogël shqiptarë të Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast kreu i shtetit ka shmangur Ministrinë e Brendshme, dhe nuk ka kryer asnjë verifikim për elemente që mund të cenojnë sigurinë kombëtare, një kërkesë kjo e parashikuar në pikën 6 të nenit 9 të ligjit për shtetësinë.