3 perditesime
15:51

Lirohen nga akuzat të akuzuarit për hedhjen e gazit lotsjellës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-deputetët, Besa Baftiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi, janë liruar nga akuzat për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Ndaj tyre ka pushuar akuza për veprën penale posedim i paautorizuar i armëve.

Arsyetimi i Gjykatës ishte se asnjë ekspertizë nuk ka deklaruar se sendet e sekuestruara ishin armë. Më 14 prill të këtij viti të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, duke thënë se veprimet e kryera asokohe ishin politike.

15:20

Sot pritet të merret vendimi për rastin e gazit lotsjellës

Është paralajmëruar që pas pak minutash Gjykata të shpallë aktgjykimin e plotë për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Prokurori i shtetit, Ilaz Beqiri, ka prezantuar provat që sipas tij dëshmojnë që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-deputetët, Besa Baftiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi, kanë kryer veprën penale posedim i paautorizuar i armëve.

Derisa është mbajtur seanca përfundimtare, ajo është shoqëruar me akuza ndaj prokurorit të shtetit nga të akuzuarit se ka mungesë profesionalizmi dhe se Prokuroria është dashur të veprojë në kohen kur vendi ka qenë i rrezikuar. E përmendja e kohës së regjimit të Millosheviqit nga prokurori i cili ka thënë se pasojat e gazit i ka përjetuar edhe vetë, ka nxitur debat në Gjykatë ku të akuzuarit u shprehën se janë të fyer dhe se prokurori këtë po e bënë për shkak të mungesës së provave.

14:27

Të akuzuarit për gazin lotsjellës deklarohen sërish të pafajshëm

Të akuzuarit për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend janë deklaruar edhe njëherë të pafajshëm në seancën e sotme.

Prokurori i shtetit, Ilaz Beqiri, ka prezantuar provat që sipas tij dëshmojnë që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe ish-deputetët, Besa Baftiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi, kanë kryer veprën penale posedim i paautorizuar i armëve.

Në anën tjetër, Kadaj-Bujupi ka thënë se këtu nuk ka fare prova dhe se Prokuroria asnjëherë s’ka pasur.

“Mendoj se zvarritja e procesit nga ana e Prokurorisë ka shkaktuar dëme të mëdha për shumicën prej nesh, na e ka pamundësuar kandidimin dhe rikandidimin dhe besoj që është një dëm i shkaktuar”, ka thënë ish-deputetja e AAK-së.

Edhe të akuzuarit e tjerë kanë thënë se veprimet e marra vite më pare kanë qenë veprime politike dhe të nevojshme shkaku i situatës se atëhershme.

13:42

Nis seanca ndaj të akuzuarve për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend

Ka nisur seanca ndaj të akuzuarve për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në 2016-n. Në sallë janë prezent ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ish-deputeti Pal Lekaj, ish-deputetja Besa Baftiu dhe ish-deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

Ata ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën.

Ministrja Haxhiu kishte thënë se atëbotë, veprimet e tyre ishin politike, e jo kriminale.