(KosovaPress) - Sistemi aktual i arsimit dhe aftësimit profesional nuk është në gjendje t’i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të tregut të punës, është thënë në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ku është shqyrtuar raporti i auditimit të performancës “Efektiviteti i ndërlidhjes së arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat e tregut të punës”.
Në raport të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit, theksohet se përkundër përpjekjeve për të ndërlidhur njohuritë dhe aftësitë profesionale me nevojat dhe kërkesat e vazhdueshme të tregut të punës, ky sistem është përcjellë me mangësi të shumta dhe kjo ka ndikuar që institucionet përgjegjëse të mos jenë të suksesshme në arritjen e qëllimeve të synuara.
E një ndërlidhje të programit me tregun e punës ka premtuar ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, e cila tha se këtë çështje e kanë synim të planit qeverisës.
“Një nga qëllime tona jashtëzakonisht të rëndësishme, qëllimi mbistrategjik në programin tonë qeverisës ka të bëjë pikërisht me shkollat profesionale dhe me arsimin dhe aftësimin profesional. Synimi ynë pra ndërlidhja e shkollave profesionale me tregun e punës është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ne synojmë që të përmirësojmë gjendjen në arsimin dhe aftësimin profesional qoftë me mjete, me kurrikulat, me tekstet, materialet mësimore, me profilet”, tha ajo.
Kryetari i Komisionit për Arsim, Aridian Gola, tha se duhet të ketë një destigmatizim të profileve profesionale, pasi tha se shumica e nxënësve drejtohen në gjimnazeve dhe jo në shkolla profesionale.
“Në çfarë do plani që ne të orientojmë zhvillimin tonë do të duhej para së gjithash që atë ta fokusojmë në zhvillimin e teknologjisë. E dyta, çfarë unë mendoj që është shumë e rëndësishme është që të orientohemi edhe në një destigmatizim të profileve profesionale, për shkak se këtu në Kosovë këto dy dekadat e fundit krejt orientimi i shkollimit ka qenë nëpër gjimnaze dhe të orientohesh në shkollimin profesionale ka qenë disi stigmatizuese dhe është ndërtuar një lloj piramide false, një farë hierarkie false e punësimit. Pra, të kesh një lloj profesioni është disi stigmatizuese në raport me të themi studimin e ndonjë profili më të lartë akademik”, është shprehur ai.
Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike, Hykmete Bajrami, tha se arsimi mund të reformohet vetëm atëherë nëse është prioritet nacional dhe prioritet i qeverisë e kryeministrit. E për një reformë të tillë, ajo tha se duhet të ketë edhe përkrahje të partive opozitare.
Por pyetja se sa do të jetë buxheti për vitin 2022 për Ministrinë e Arsimit, ka nxitur debat në mes të Bajramit e ministres së Arsimit, dhe deputetit të LVV-së Eman Rrahmani.
Nagavci, tha se buxheti për vitin 2021 është zvogëluar nga ish-qeveria Hoti për 12 milionë euro, ndërsa, për buxhetin e vitit 2022 ajo tha se do të jetë buxhet i cili i reflekton planifikimet e tyre.
Por Hykmete Bajrami tha se pikërisht në atë kohë nuk është ndarë asnjë cent për organizimin e mësimit online nga qeveria.
“Me datën 23 mars në Ministri të Arsimit ka filluar mësimi online për klasat 1-5, e me 1 prill ka filluar prej klasës 1-9. Ka qenë pakoja fiskale emergjente ku janë ndarë rreth 70 milionë për të gjitha ministritë tjera dhe nuk është ndarë pikërisht në qeverinë Kurti I as edhe një cent për organizimin e arsimit online dhe është sektori i cili është ndikuar më së shumti, sepse në momentin kur është shpallur pandemia janë mbyllur shkollat”, tha ajo.
Në debat është përfshirë edhe deputeti i LVV-së Eman Rrahmani, i cili akuzoi kryetaren e komisionit se po e keqpërdorë pozitën, derisa tha se të gjeturat e raportit që po diskutohet adreson problemet që janë shkaktuar pikërisht nga ajo.
“Këto të gjetura kanë të bëjnë pikërisht me punën e juaj, andaj për këto duhet të fajësoheni edhe ju dhe besoj që diskutimi duhet të vazhdoi të jetë profesional edhe jo politikë në mënyrë që t’i shërbejë edhe t’i përmirësojmë këto të gjetura ku kryesisht janë për shkak të keqqeverisjes suaj. Besoj që është mirë të keni kujdes e të mos keqpërdorni foltoren aty, të punojmë si komision profesional që jemi dhe jo deklarata të tilla politike”, tha ai.
Ndërsa përsëri ka reaguar kryetarja e Komisionit Hykmete Bajrami, e cila tha se duhet të mësohen me kritika pasi që për 15 vite kanë akuzuar të gjitha qeveritë edhe pa argumente.
Anëtarët e komisionit kanë kërkuar përgjigje nga ministrja e Arsimit edhe sa i përket reformës së nisur në Komunën e Kamenicës dhe vendimit të saj për të organizuar mësim alternativ të përshpejtuar, e që Nagavci tha se asnjë nga vendimet e saj nuk ka të bëjë me ndërhyrje politike, por që tha se ka marrë vendim në bazë të kompetencave të saj që të mos dëmtohen edhe më tej nxënësit.
Në këtë mbledhje, anëtarët e të dyja komisioneve kanë drejtuar pyetje për ministren e Arsimit Arbërie Nagavci lidhur me planin për fillimin e vitit të ri shkollor, ku Nagavci tha se synojnë që të ndodh me prezencë fizike në shkolla, por gjithsesi tha se do të përgatiten për skenarët e tjerë.