Të shumta kanë qenë rastet e korrupsionit të profilit të lartë, të cilat ishin dënuar me vendim të formës se prerë, por ishin shfuqizuar nga Gjykata Supreme me arsyetimin e shkeljeve procedurale. Nga Gjykata e Apelit kanë thënë së është obligim i Supremes që ta bëjë unifikimin e interpretimit ligjor, por që ky institucion nuk po e bën
Interpretime të ndryshme të Kodit Penal e Kodit të Procedurës Penale kanë bërë gjyqtarët e Gjykatës së Apelit dhe ata të Gjykatës Supreme. Një gjë e tillë ka bërë që shumica e rasteve që kanë trajtuar të dy nivelet të dështojë.
Asnjë zyrtar i lartë shtetëror s’ka shkuar në vuajtje të dënimit për akuza për korrupsion, tash e 5 vjet. Javën e kaluar Apeli konstatoi se aktakuza kundër ish-kryetarit të Lipjanit, Shkuri Buja, është vjetërsuar plotësisht.
Buja ishte dënuar me vendim të formës se prerë nga dy shkallët e Gjykatës. Ndonëse me vendim të plotfuqishëm, ai nuk u dërgua në vuajtje të dënimit për disa muaj, deri kur Supremja konstatoi se ka shkelje procedurale, duke e kthyer lëndën në rigjykim 5 ditë para se të parashkruhej.
Një nga aferat më të njohura në Kosovë është ajo e njohur si “PRONTO”, ku u dënuan ish-zyrtarë shtetërorë. Vendimi ishte i formës se prerë, por sërish Supremja e ktheu në rigjykim pak muaj para parashkrimit.
Edhe Agim Ademi, kryetar i Federatës së Futbollit, ishte dënuar me vendim të formës se prerë nga Apeli.
Supremja i ka anuluar muaj me parë aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, me të cilat Ademi ishte shpallur fajtor për veprën penale, detyrim në tentativë dhe ishte dënuar me nëntë muaj burgim.
“Kolegji i Gjykatës Supreme, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit M.R. avokatit R.K., dhe atë të të dënuarit A.A., paraqitur kundër aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 i datës 5 korrik 2019, në seancën e Kolegjit të mbajtur më 15 korrik 2020, aprovoi si të bazuara këto dy kërkesa, kurse aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, PKR.nr.51/2014 të datës 5 korrik 2019 dhe atë të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.504/2019 të datës 12 shkurt 2020, i anuloi, kurse çështjen ia ktheu gjykatës së shkallës së parë në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës Supreme
Njëjtë ndodhi edhe në rastin e Ilir Tolajt.
Gjykata e Apelit më 13 dhjetor 2019 kishte ndryshuar pjesërisht aktgjykimin lirues të gjykatës së shkallës së parë, duke i dhënë dënim me burgim prej 3 vjetësh Ilir Tolajt, Bekim Fushës 2 vjet e 4 muaj, Zenel Kuqit dënim prej 2 vjetësh e 8 muaj, ndërsa Valentina Haxhiaj, Florije Tahiri, Remzije Thaqi ishin dënuar me kusht prej 6 muajsh.
Por Supremja në gushtin e vitit të kaluar e kishte prishur edhe këtë aktgjykim.
Supremja rikthimin e lëndës në rigjykim e ka arsyetuar se Gjykata e Apelit ka bërë shkelje esenciale të dispozitave procedurale pasi nuk ka arritur të arsyetojë zgjidhjen e çështjes penale.
Sipas Supremes, Apeli po ashtu nuk ka arritur ta vërtetojë ekzistimin e veprës penale dhe përgjegjësinë penale të të dënuarve.
KOHA ka provuar të flasë me kryetarin e Gjykatës Supreme, Enver Peci, por ai nuk ka pranuar me arsyetimin se “nuk i komenton vendimet e gjykatave”.
Për dallim nga Peci, kryetari i Apelit, Hasan Shala, ka pranuar se kurrë nuk kanë pasur një takim këto dy shkallë për të diskutuar se çfarë është problemi që të gjitha lëndët po dështojnë në këtë mënyrë.
“Ky shqetësim është edhe i imi e edhe i gjyqtarëve që i gjykojnë këto raste, por çështja është se si t’i eliminojmë këto qëndrime. Shpresoj dhe besoj që edhe Gjykata Supreme në krye me kryetarin të takohemi dhe të bisedojmë në mënyrë shumë profesionale dhe korrekte që të kemi një qëndrim unik sa i përket interpretimit të ligjit”, ka thënë ai.
Por ekziston edhe një anë tjetër.
Profile të tjera të larta të akuzuara për korrupsion ose vepra të tjera penale ishin liruar nga akuzat. Ish-drejtori i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Emin Beqiri, dhe ish-kryetari i Apelit, Salih Mekaj, ishin liruar nga gjykatat e dy shkallëve të para. Kolegji i tre gjyqtarëve të Gjykatës Supreme kishte vlerësuar se Gjykata e Apelit jashtëligjshëm e ka liruar Beqirin nga akuzat për korrupsion.
Sipas tyre, ka pasur prova të mjaftueshme në dispozicion që ai të ndiqej për korrupsion. Gjykata Supreme e ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së Prokurorisë së Shtetit dhe ka cilësuar se Apeli pa bazë i ka cilësuar të pavlefshme provat që e ngarkonin Beqirin.
“Aktvendimi i Gjykatës së Apelit më datë 18.09.2018, pa të drejtë lëshohet në vlerësim të provave duke i vlerësuar të njëjtat si prova shfajësuese dhe duke marrë në këtë mënyrë rolin e gjykatës së shkallës së parë. Kështu, sa i përket dyshimit të bazuar mirë, kjo gjykatë gjen se vlerësimi i Gjykatës së Apelit ‘me asnjë provë qoftë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nuk është vërtetuar’, është konstatim i tillë dhe vlerësim i cili nuk mbështetet në provat të cilat i janë bashkëngjitur aktakuzës, ashtu siç me të drejtë pretendon prokurori i Shtetit në mbështetje të mbrojtjes së ligjshmërisë”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Njëjtë ka vepruar Supremja edhe për aktgjykimin lirues të ish-kryetarit të Apelit, Salih Mekaj. Shpallja e tij “i pafajshëm” nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit, sipas Supremes, ishte e jashtëligjshme.
Aktgjykimi i nxjerrë rreth dy vjet më parë ka konstatuar shumë gabime të dy shkallëve të gjykatës - Themelores dhe Apelit, në aktgjykimin që e kanë liruar, përkatësisht e kanë provuar pafajësinë e Mekajt. Sipas Supremes, nëse ligji do të aplikohej drejt në rastin e Mekajt, ai do të duhej të shpallej fajtor.
Por 6 muaj më parë instanca më e lartë se Supremja – Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar vendimin e Supremes për Mekajn të jashtëligjshëm dhe rasti është kthyer për rivendosje.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se vendimi i Gjykatës Supreme kishte shkelur të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm për një proces të rregullt ligjor ndaj Mekajt, i sanksionuar në nenin 6 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Javë me parë Supremja ka vendosur që ish-ministri i Shëndetësisë, Numan Baliq, ishte liruar për ngacmim seksual. Sipas Gjykatës Supreme, në këtë rast penal ka pasur prova të mjaftueshme që dërgojnë në plotësimin e elementeve të veprës penale për të cilën akuzohej Baliq.
“Nga këto arsye Gjykata Supreme konstatoi se në rastin konkret, faktet vendimtare janë vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, por arsyet me këto të meta dhe mungesa e arsyeve për faktet vendimtare, paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 12 të KPPK. Në anën tjetër, në fakte të vërtetuara në mënyrë të drejtë dhe të plotë, me lirimin e të akuzuarit nga akuza gabimisht është aplikuar ligji penal, shkelje kjo nga neni 385 pika 4 të KPPK-së, sepse me aplikimin e drejtë të ligjit ai duhej të shpallej fajtor për veprën penale për të cilën është akuzuar”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Hasan Shala , kryetar i Apelit, ka përmendur vendimin e Kushtetueses për rastin “Mekaj”, për të treguar, sipas tij, kundërthëniet e institucionit të Gjykatës Supreme.
“E kemi rastin kur Supremja e ka konstatu shkeljen, por Gjykata Kushtetuese ia ka anuluar vendimin Supremes...vërtet gjyqtarët janë të shqetësuar se nuk po e dinë çka, nëse e vërteton konstaton shkelje, nëse e shqipton dënim Gjykata Supreme i anulon. Prandaj këtu është esenca. Nuk o problemi që janë dy mendime, por Gjykata Supreme e ka obligim me i unifiku”, ka deklaruar ai.
Në raporte vendore e ndërkombëtare theksohen rezultatet e dobëta të sistemit të drejtësisë në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Luftimi i korrupsionit të profilit të lartë është edhe kusht i paplotësuar për liberalizimin e vizave.