Arbëri

Zeka: Oda Amerikane ka kërkuar kategorizimin e ndërmarrjeve të cilat janë prekur nga pandemia

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të bëhet kategorizimi i ndërmarrjeve sipas ndikimit që pandemia ka pasur në qarkullimin e tyre krahasuar me periudhën para shpërthimit të pandemisë.

Ai ka thënë se përtej masave që duhet të ndërmarrë qeveria për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike, ajo çfarë duhet të bëjë është nisma e hartimit të një strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik.

“Për sa i përket hapave që duhet të ndërmarrë në këtë aspekt nga ana e qeverisë së re Oda Ekonomike Amerikane ka kërkuar që të bëhet kategorizimi i ndërmarrjeve sipas ndikimit që pandemia ka pasur në qarkullimin e tyre krahasuar me periudhën pata shpërthimit të pandemisë. Kemi propozuar që kategorizimi të bëhet ne katër grup: ndërmarrjet qarkullimi i të cilave është reduktuar për 20%, në kategorinë e dytë, ndërmarrjet qarkullimi i të cilave është reduktuar për 40%, në kategorinë e tretë, qarkullimi është reduktuar për 60% dhe kategorinë e fundit që është reduktuar qarkullimi për 80%”, ka thënë Zeka.

Sipas tij, në bazë të këtij kategorizimi do të bëhej edhe mbështetja për bizneset e cila deri më tani është bërë pa ndonjë planë të mirëfilltë.

“Në bazë të këtij kategorizimi nga ana e administratës tatimore do të dizajnoheshin edhe masat mbështetëse qofshin ato masa monetare pra po flasim për subvencionim ose mbështetje financiare që kanë qenë vendime ad-hoc të pamenduara mirë dhe që kanë bërë që një pjesë e ndërmarrjeve të përfitojnë më tepër sesa pjesa e ndërmarrjeve që janë goditur në një shkallë shumë më të madhe. Përtej masave që duhet të ndërmarrë qeveria për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike, ajo çfarë duhet të bëjë është nisma e hartimit të një strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik meqenëse e njëjta do të ishte i udhërrëfyes për shumë vendime dhe ligje të tjera të cilat qeveria synon që t’i shtyjë përpara me qëllim që të shmangen vendimet e pastrukturuara që nuk lidhen me një dokument strategjik dhe të cilat jo domosdoshmërisht bazohen në potenciale zhvillimore të vendit”, ka shtuar Zeka.

Sa i përket periudhës së rimëkëmbjes ekonomikem ai ka thënë se nëse arrihen parashikimet që Kosova të ketë rritje ekonomike prej 4%, atëherë i bie që deri në fund të vitit 2022 dhe në muajt e parë të vitit 2023, do të ketë rimëkëmbje të plotë.