Autoritetet janë duke e trajtuar në heshtje rastin e pretendimit për ngacmim seksual të një të miture në oborr të një shkolle fillore në Prishtinës.
Të shtunën, portali “Syri.net” publikoi një video me pretendimin se disa të mitur kanë ushtruar dhunë seksuale ndaj një vajze. Për rastin, KOHA ka kontaktuar Policinë e Kosovës që ka thënë se për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje, rasti po trajtohet nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale.
“Nga zyrtarët e shkollës kemi pranuar një informacion me ndjeshmëri, i cili është trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale si dhe Prokurorin e shtetit. Për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe rrethanave specifike, me rekomandim të prokurorit, rasti po trajtohet nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Ndërkaq nga drejtoria e kësaj shkolle kanë thënë se me rastin janë duke u marrë qe dy javë. Sipas drejtorisë, nga autoritetet rasti s’është cilësuar si keqtrajtim seksual, ndërsa për të “familjarët s’kanë dashur të iniciojnë rast”.
“Rasti po trajtohet brenda shkollës”, është thënë nga drejtoria e kësaj shkolle.
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka qenë e paqasshme.