1 perditesime
23:18

Shala skeptik se Qeveria do të mund të realizojë zotimet nga programi

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Ardian Shala, ka thënë se Programi i Qeverisë për katër vitet e ardhshme është shumë i thatë. Ai ka thënë se atij programi i mungojnë konkretizimet në afatet kohore për implementimin e planeve që ka paraqitur Qeveria.

“Si program është mjaft i thatë, nuk ka detajizime, nuk parashihet se kur do ndodhin ato. Kjo i bie si një fontanë dëshirash ‘duhet të bëhet’ e nuk ka detajizime. Sidomos te investimet kapitale nuk kemi pa që ka diçka. Po ashtu asnjë plan si do ti sigurojnë vaksinat në periudha të ndryshme kohore”.

“Nuk ka të specifikuar çka do bëj me sektorë të rëndësishëm, si ai i kardiokirurgjisë... Te mbledhja e premiumeve, ka paqartësi kur do mblidhen për çështjen e sigurimeve shëndetësore. Nuk ka specifikim. S’ka data për nisjen e implementimit të sistemit informativ shëndetësore”, ka shtuar Shala.

Shala ka reaguar edhe ndaj deklaratës së deputetit të VV-së, Mefail Bajqinovcit, i cili tha se brenda dy javësh do ta kemi kontratën e parë për vaksina. Ka thënë se Qeveria nuk ka treguar plan konkret për këtë, ndërsa është shprehur skeptik për arritjen e kontratës.

“Ndarje të buxhetit për këtë nuk e dimë që ka. Urojmë ta realizojnë por nuk ka plan konkret se kur do t’i realizojnë këto furnizime me vaksina. Shihet që kur dihet që një ministër (Zemaj) thotë se kontrata është në pritje ndërsa Vitia nuk jep asnjë detaj, çka ka ndodhë me atë kontratë. Me këtë qasje jemi shumë skeptik që këta do t’i bëjnë këto që vetë i kanë shënuar në letër sa i përket çështjes së vaksinave”, ka thënë ai në Interaktiv.

Shala ka thënë se kah muaji qershor mund të bëhen publike emrat e kandidatëve të LDK-së për kryetarë komunash për zgjedhjet e vjeshtës.

23:08

Shala s’pret që Qeveria të arrijë vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve sivjet

Ardian Shala, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se zotimi i Qeverisë Kurti që në vitin 2021 60 për qind e qytetarëve të Kosovës të vaksinohen kundër COVID-19, nuk mund të arrihet me trendin aktual të vaksinimit.

Në ditën që në sallën “1 Tetori” në Prishtinë pati tollovi të madhe të qytetarëve që kishin shkuar për vaksinim, Shala ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po di të menaxhojë situatën.

“Ne si LDK dhe si departament për Shëndetësi kemi bërë shumë punë për të analizuar komplet platformën e prezantuar të Qeverisë Kurti. Në theks të veçantë kemi bërë spikatje ku kemi vërejtur që s’ka plan për vaksinim. Në një konferencë të mëhershme, derisa nuk ka një planifikim se si do të shkojë trendi i vaksinimit, e kemi paraparë se do të ketë një vërshim të njerëzve pikërisht siç ka ndodhur sot. Moskoordinimi, moszbatimi apo angazhimi për një protokoll të mirëfilltë të vaksinimit ka sjellë te një situatë ku ishte pamja skandaloze, me njerëzit që rrezikonin jetën në vend se të mbroheshin. Statistikat tregojnë se moshat 65 deri 70 vjeç rreth 150 mijë njerëz e i kemi pasur 38 mijë. Si ka pasur mundësi 38 mijë të mbarohen për një ditë... informimi s’ka qenë i duhur”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, me tollovinë e së premtes është treguar se “Qeveria s’është në nivelin e duhur, e sidomos Ministria e Shëndetësisë”.

“Në planin e Qeverisë, ata parashohin 60 për qind deri në fund të vitit. Por me këtë trend s’do të arrihet. Me këto 38 mijë dozat që kanë ardhur dhe ato tjerat, vështirë se do të arrijnë atë numër që i bie 900 mijë apo 1 milionë, që gjithsesi s’i plotëson kriteret për vaksinim të mirëfilltë”, ka thënë ai.

Deri tash në vend janë vaksinuar më shumë se 30 mijë qytetarë.

Ndërkaq, nga e shtuna procesi i vaksinimit do të ndryshojë pasi Ministria e Shëndetësisë njoftoi se do të vaksinohen vetëm qytetarët që kontaktohen nga kjo ministri.