2 perditesime
19:20

Nis vaksinimi i personave mbi 65 vjeç, rend i gjatë pritjeje para “1 Tetorit”

Hana Kaja

Radhë të gjata e pritje ka pasur sot para sallës “1 Tetori”, teksa ka nisur vaksinimi i personave mbi 65 vjeç.

Me gjithë njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë se prioritet do të kishin personat e regjistruar në “e-Kosova”, një gjë e tillë s’dukej të përfillej. Në vend të kësaj, u zbatua sistemi i numrave, në bazë të të cilëve caktohej ora e vaksinimit.

Megjithatë, telashe të shumta pati.

“Unë kam aplikuar menjëherë në e-Kosova që është, mi kanë dërguar ato, si e kanë miratuar e krejt, me kod e me krejt, por kot. Kam ardhur dy-tri herë, unë motër në pension jam”, tha pensionistja Selvete Delmani.

“Po, kam qenë shumë e kënaqur me organizim, na kanë mirëpritur shumë mirë. Para tri orësh kemi ardhur, këtu kemi ndenjur përafërsisht dy orë, tash duhet edhe 15 minuta”, deklaroi një qytetare tjetër.

Sipas drejtuesve të qendrës, radhët u krijuan edhe për një arsye tjetër.

“Ne në këtë rast kemi pasur dhe kemi shumë që kanë ardhur nga të gjitha komunat, edhe ndaj ka qenë edhe ky mbipopullimi që neve na ka sfiduar për momentin, por që me një angazhim dhe të rritjes së numrit të ekipeve mjekësore që kemi, brenda orës së parë kemi arrit që ta stabilizojmë situatën dhe fatmirësisht tani jemi në konditat e normales dhe procesi është duke shkuar si çdo ditë tjetër”, njoftoi Niman Bardhi, menaxher i qendrës së vaksinimit “1 Tetori”.

Sipas Bardhit, rreth 750 ka qenë numri i të vaksinuarve vetëm gjatë orëve të paradites, duke e çuar në rreth 30 mijë numrin e përgjithshëm të të vaksinuarve.

Ai po ashtu bëri të ditur se të enjten nuk do të ketë vaksinim, porse procesi do të rinisë nga e premtja në QKMF-të nëpër komuna.

Njëkohësisht sot në Kosovë arritën edhe 38 mijë e 400 doza të vaksinës “AstraZeneca”.

Këto vaksina janë pjesë e ndihmës për Kosovën, nëpërmjet programit COVAX, nga i cili mekanizëm edhe në mars Kosova i pranoi 24 mijë doza.

Pos vaksinave nga COVAX-i, Kosova ka pranuar javë më parë edhe rreth 8 mijë doza të vaksinës Pfizer, si donacion nga Bashkimi Evropian. Siç është bërë e ditur nga UNICEF-i, edhe 100 mijë doza të vaksinës Pfizer do të mbërrijnë në Kosovë deri në fund të muajit maj.

12:48

Vetëm sot, 700 persona janë vaksinuar në sallën “1 Tetori”

Menaxheri i Qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi ka thënë se është dita e parë për vaksinimin e personave mbi 65 vjeç.

Ai ka thënë se të vaksinuar vetëm sot janë rreth 750 persona, ndërkaq 5 mijë persona janë vaksinuar në total me vaksinën Pfizer.

“Ndërsa sa i përket totalit të të vaksinuarve kemi rreth 30 mijë vaksina të aplikueshme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se fluksi është shumë i madh i personave që kanë shkuar për t’u vaksinuar.

Bardhi ka thënë se fillimisht numri i madh i personave që kanë shkuar për t’u vaksinuar i ka sfiduar porse më vonë është stabilizuar gjendja.

Ai ka shtuar se të enjten nuk do të ketë vaksinim, porse vaksinimi do të rinisë përsëri nga e premtja në qendrat e mjekësisë familjare nëpër komuna.

08:19

Rend i gjatë i pritjes për vaksinim në grupin e mbi 65-vjeçarëve

Rendi i gjatë i pritjes është shkaktuar në sallën “1 Tetori” në ditën kur është paraparë të nisë procesi i vaksinimit kundër COVID-19 të grupit të qytetarëve mbi 65-vjeç.

Sipas njoftimit të së martës nga Ministria e Shëndetësisë, prioritet do të kenë personat e regjistruar në “e-Kosova”.

Njoftimi theksonte se fillimisht do të vaksinohen personat nga rajoni i Prishtinës, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Drenasi e Lipjani. Vaksinimi do të bëhet në sallën “1 Tetori” në Prishtinë nga ora 08:00 deri në ora 19:30.

Ndërkohë të premten, nga ora 08:00 deri në ora 19:30, do të vaksinohen personat mbi 65-vjeçar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, si dhe në QKMF në të gjitha komunat.

Me të njëjtën grupmoshë do të vazhdojë vaksinimi edhe të shtunën.

Deri tash në Kosovë janë vaksinuar mbi 29 mijë qytetarë. Fillimisht prioritet kanë qenë punonjësit shëndetësorë dhe grupet më të moshuara si dhe ata me sëmundje kronike.

Të mërkurën pritet të arrijë një tjetër kontingjent vaksinash “AstraZeneca” nëpërmjet COVAX-it. Me 38 mijë e 400 dozat që pritet të arrijnë sot vaksinimi do të vazhdojë vaksinimi i qytetarëve në moshat mbi 65-vjeç.

Në planin shtetëror të vaksinimit pas personave mbi 65-vjeç dhe atyre me sëmundje kronike janë mësuesit dhe forcat e sigurisë të përfshira drejtpërdrejtë në menaxhimin e COVID-19.

Deri tash vendi vaksinimin e ka nisur dhe po e vazhdon vetëm me vaksina të ardhura si donacion, nëpërmjet COVAX-it dhe Bashkimit Evropian. BE-ja ka sjellë rreth 8000 nga 95 mijë të premtuara, ndërsa COVAX-i ka përfunduar 24 mijë, e sot shifra do të shkojë në 62 mijë total nëpërmjet kësaj aleance.