1 perditesime
19:16

AKK-ja hedh përgjegjësinë te KGJK-ja në rastin e Zogajt

Saranda Ramaj

Agjencia Kundër Korrupsionit e ka hedhur përgjegjësinë te Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të konstatuar nëse i propozuari për kryetar të Komisionit të Provimit të Jurisprudencës, Albert Zogaj, gjendet në konflikt interesi.

Pas raportimit të KOHËS se Zogaj mban edhe pesë pozita të tjera, përveç asaj për të cilën ishte votuar nga Qeveria Kurti, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar opinion për këtë çështje nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Opinioni i AKK-së thekson se për disa nga pozitat ai nuk ka konflikt interesi, por nuk jepet qëndrim i prerë edhe për faktin se Zogaj është edhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, e edhe në krye të Komisionit për Jurisprudencë. Agjencia ka thënë se anëtarët e Komisionit nuk kanë të drejtë të jenë anëtarë të KGJK-së, por nuk e thotë nëse Ministria e Drejtësisë duhet ta tërheqë propozimin për Zogajn.

“Konform dispozitave të sipërcituara, funksioni kryetar apo anëtar i Komisionit për provimin e jurisprudencës, është detyrë publike dhe profesionale me shpërblim me pagesë. Kështu që në mbështetje të nenit 18, paragrafi 5 i Ligjit për KGJK-në, Z.Albert Zogaj, por edhe anëtarët e tjerë të KGJK-së nuk kanë të drejtë të ushtrojnë detyrën e kryetarit apo anëtarit të Komisionit për provimin e jurisprudencës, kundrejt shpërblimit me pagesë”, thuhet nga AKK-ja.

Por pavarësisht se kanë thënë se është shkelje e ligjit, këtë të drejtë kanë vendosur që të mos ua kufizojnë vetë.

“Ky kufizim për anëtarët e KGJK-së, jo edhe për pozitën e gjyqtarit, nuk rrjedh nga dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, por nga Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës si ligj i veçantë. Andaj KGJ-ja duhet të shqyrtojë dhe të vlerësojë zbatueshmerinë e nenit 18, paragrafi 5 dhe 6 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor, për rastin konkret”.

Nga Ministria e Drejtësisë përmes një përgjigjeje të shkurtër me shkrim kanë thënë se do ta respektojnë opinionin e Antikorrupsionit, por pa e komentuar faktin që edhe në opinion theksohet që Zogaj nuk mund ta mbajë këtë pozitë.

KOHA ka raportuar se Zogaj mban edhe pesë pozita të tjera.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sa ishte në opozitë, ka qenë kritike ndaj mosrespektimit të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit nga ana e institucioneve. Ajo pati kritikuar kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili gjithashtu ka qenë kryesues i komisionit ku MD-ja e ka propozuar Zogajn. Lumezi mbante edhe 6 pozita të tjera.

12:36

Anti-Korrupsioni e gjuan topin te KGJK-ja për “supermenin” Zogaj për konflikt interesi

Agjencia Kundër Korrupsionit ka hedhur përgjegjësinë te Këshilli Gjyqësor i Kosovës nëse caktimi i Albert Zogajt si kryesues i Komisionit për Jurisprudencë bie ndeshje me Ligjin për KGJK-në.

Albert Zogaj aktualisht kryen pesë funksione. Është gjyqtar në Gjykatën Supreme, anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, profesor në Kolegjin AAB, ligjërues në Akademinë e Drejtësisë, konsulent në një OJQ, teksa së shpejti mund ta marrë përsipër edhe kryesimin e Komisionit për Provim të Jurisprudencës, pasi në prill Qeveria e votoi “supermenin” Zogaj për të marrë detyrën e re.

Pasi u votua, Ministria e Drejtësisë kërkoi opinion nga Agjencia Kundër Korrupsionit nëse propozimi i Zogajt për kryetar të Komisionit për Jurisprudencë është në kundërshtim me Ligjin për Parandalim të Konfliktit të Interesit. Një gjë të tillë kjo ministri e ka bërë pasi KOHA u ka dërguar pyetje për këtë çështje.

Ndërkaq në një opinion të 6 majit, edhe pse i lejohet interpretimi i ligjeve, AKK-ja s’e ka bërë këtë dhe e ka gjuajtur topin te Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Sipas AKK-së, propozimi i Zogajt për detyrën e re nuk bie ndesh me Ligjin për Parandalim të Konfliktit të Interesit, megjithatë është lënë e hapur mundësia që është në kundërshtim me Ligjin për KGJK-në, specifikisht nenin 18, paragrafin 5.

E paragrafi 5 i këtij neni e specifikon qartë se “Kryesuesi, zëvendëskryesuesi dhe anëtarët e Këshillit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë ndonjë detyrë tjetër publike apo profesionale për të cilën shpërblehen me pagesë, përveç mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë”.

Faktin që Zogaj mban pozitë në KGJK, KOHA e ka konfirmuar përmes uebfaqes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ai më 10 mars është zgjedhur anëtar i KGJK-së. Në njoftimin për media është prezantuar edhe biografia e tij.

KGJK-ja ka afat 15 ditë për ta informuar Agjencinë lidhur me kërkesën e saj.