Arbëri

Brukseli shpreson se qeveritë aktuale në Kosovë e Serbi mund të arrijnë marrëveshje

Në një “non-paper” të përgatitur nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS), e që pritet të jetë bazë për diskutime nga ministrat e jashtëm të BE-së të hënën, kërkohet që të shfrytëzohet viti 2021 për të forcuar angazhimin e BE-së në rajon. “Duke pasur parasysh se edhe në Serbi e edhe në Kosovë ekziston një lidership me mandat solid nga elektorati, ata duhet ta shfrytëzojnë rastin për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të normalizimit. Asnjëra palë nuk ka kohë për të humbur”, thuhet në këtë dokument

Pas dy “non-paperëve” që kanë dalë në opinion javëve të fundit, e të cilët kanë trazuar edhe skenën diplomatike, vjen edhe një tjetër që duket më pak kundërthënës dhe për të cilin është më e lehtë që të konfirmohet autorësia, apo së paku të mos mohohet. Në këtë nuk flitet për ndryshim të kufijve, as nuk jepen ide konkrete se si do të duhej të dukej marrëveshja eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por më shumë sqarohet konteksti strategjik i raporteve mes BE-së dhe “partnerëve” në rajon dhe rreziku që krijon mungesa e përparimit të dukshëm të rrugëtimit të këtij rajoni drejt BE-së dhe rëndësisë strategjike që ka integrimi i plotë i rajonit për BE-në në aspektin politik, të sigurisë, ekonomisë si investim strategjik.

Një “non paper” të tillë e ka përgatitur Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (EEAS) dhe ua ka adresuar vendeve anëtare me rekomandime që të mos provohet me alternativa që nuk nënkuptojnë anëtarësimin e plotë të vendeve të rajonit në BE, sepse një gjë e tillë mund vetëm të krijojë pengesa.

“Në Ballkanin Perëndimor janë të qartë në qëllimin për t’u bërë anëtarë të plotë të BE-së. Ata nuk duan të përcaktohen vetëm për një bashkëpunim të shtuar ekonomik, tregtar apo financiar. Çfarëdo sugjerimi për ndonjë rrugë alternative perceptohet si një largim i dëmshëm i vëmendjes nga puna e madhe që duhet bërë për të realizuar vizionin e një Evrope të bashkuar, të fuqishme dhe prosperuese”, thuhet në këtë dokument.

Aty, ndoshta për të adresuar edhe shqetësimet që ekzistojnë në disa vende anëtare të BE-së për impaktin e zgjerimit, thuhet se “efekti i integrimit të plotë në BE do të jetë shumë më i vogël sesa nga zgjerimi në të kaluarën”. Përmendet se Bruto Prodhimi Vendor (BPV – GDP) i tërë rajonit së bashku është 1% e BPV-së së BE-së, ndërsa popullata e tërë rajonit 4 % e popullatës së përgjithshme të BE-së. Ndërsa në të njëjtën kohë përfitimet gjeopolitike të BE-së janë të mëdha. Në disa vende në dokument përmendet rreziku nga ndikimet e faktorëve të tjerë në rajon, nëse BE-ja lë hapësirë.

Si rrallë herë deri tash në një “dokument pune” të hartuar në BE, qoftë edhe në formën e “non paperit”, shihet një dozë vetëkritike ndaj Bashkimit Evropian. Përmenden edhe disa arsye për një zhgënjim të madh në rajon me procesin e zgjerimit.

“Perceptimi i përhapur në Ballkanin Perëndimor është se mundësia për anëtarësim është duke u venitur, se aspiratat evropiane janë duke u humbur në grumbullin kompleks të kushteve dhe procedurave që e mbajnë Ballkanin të kurthuar në një fat sizifian. Përkundër perceptimit dominues negativ, opinioni publik në tërë rajonin, ndonëse në përmasa të ndryshme, është akoma në favor të integrimit në BE”, thuhet në këtë dokument.

Në të tërhiqet vërejtja se “në rast të mungesës së perceptimit të integrimit në BE, që krijon hapësirë për bashkëjetesën e identiteteve pluraliste kombëtare, retorikët dhe politikat nacionaliste po e shfrytëzojnë momentumin”.

“Sot ne duhet ta pranojmë se, me gjithë përkushtimin për integrim në BE, dhe ndihmës së paprecedent financiare dhe ekonomike të BE-së, përfshirë edhe për përballje me pandeminë COVID-19, njerëzit në rajon janë duke përjetuar një ndjenjë të zhgënjimit të madh me procesin e zgjerimit”, thuhet në këtë “non-paper”. Pastaj përmenden si arsyet kryesore: “Mungesa e hapit vendimtar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pas vendimit të Këshillit në vitin 2020 për nisjen e negociatave të anëtarësimit, progresi i ngadalshëm i Serbisë dhe Malit të Zi në rrugëtimin drejt BE-së, progresi i ngadalshëm në prioritetet kyç për Bosnjë-Hercegovinën dhe Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me Kosovën, si dhe paqartësitë rreth të ardhmes së dialogut Beograd-Prishtinë”. Në të njëjtën kohë shtohet se edhe perceptimi se BE-ja është vonuar me dhurimin e vaksinave kundër COVID-19, ka “ndihmuar që të rritet zhgënjimi”.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, në dokument thuhet se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri do të vazhdojë ta udhëheqë atë, ndërsa nga Kosova dhe Serbia pritet ta shfrytëzojnë rastin për të arritur marrëveshje, pasi në të dyja vendet ka “liderë me mandate të qarta”.

“Duke pasur parasysh se edhe në Serbi, edhe në Kosovë ekziston një lidership me mandat solid nga elektorati, ata duhet të shfrytëzojnë rastin për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të normalizimit. Asnjëra palë nuk ka kohë për të humbur”, thuhet në këtë dokument.

Po ashtu, aty kërkohet që “me urgjencë” të trajtohet nga shtetet anëtare liberalizimi i vizave për Kosovën.

Në këtë dokument prej 6 faqesh flitet edhe për nevojën që të shfrytëzohet gatishmëria amerikane për të bashkëpunuar me BE-në në rajon, por po ashtu tërhiqet vërejtja se SHBA-ja kërkon edhe lidership të BE-së dhe rezultate konkrete.

“Qëllimi i administratës së re amerikane për të punuar në forcimin e veprimit të përbashkët BE-SHBA në Ballkanin Perëndimor, krahas konsolidimit të rolit të NATO-s në rajon, si dhe mbështetja e tyre për perspektivën evropiane të rajonit, paraqet një momentum të duhur për të dëshmuar me shembull se mund të kemi rezultat në agjendën tonë të përbashkët. Paralelisht me promovimin e angazhimit të NATO-s, politika e jashtme amerikane në rajon bazohet mbi premisat se BE-ja do ta konsolidojë unitetin evropian dhe do ta integrojë Ballkanin Perëndimor. SHBA-ja aktivisht mbështet këtë proces dhe reformat gjatë tij, por pret nga BE-ja që ta udhëheqë dhe ta realizojë këtë vizion”, thuhet në këtë “non-paper”.

Nga propozimet për të forcuar angazhimin në Ballkanin Perëndimor dhe vizitat më të shpeshta në rajon të zyrtarëve të lartë të BE-së, si dhe të shteteve anëtare.

Pastaj përfshirja graduale e vendeve të rajonit në politikat e BE-së. Po ashtu, kërkohet që, sidomos në rastin e Serbisë dhe të Malit të Zi, të forcohet “orientimi i tyre gjeopolitik”. Këtu mendohet sidomos në raportet me Rusinë dhe Kinën.

“BE-ja mund të ketë sukses vetëm nëse punon si një, me mjete të shumëfishta dhe burime të mjaftueshme, por me një qëllim të vetëm strategjik; të punojë së bashku për të ardhmen e përbashkët, duke e ankoruar Ballkanin Perëndimor fuqishëm në BE”, thuhet në fund të këtij “non-paperi” të përgatitur nga EEAS-i, ku shtohet se puna duhet të bëhet bashkërisht me shtetet anëtare, me institucionet relevante të BE-së dhe me delegacionet e BE-së në terren.