Në orët e paradites të së dielës janë vaksinuar 160 persona, e kjo është vlerësuar pak, krahasuar me planet e hartuara për imunizim dhe me ritmet e ditëve të kaluara.
Imunizimi me vaksinat “Pfizer”, donacion nga Bashkimi Evropian, ka vazhduar edhe të dielën, ndërkohë që kanë mbetur edhe rreth 1.300 doza në dispozicion nga 4.860 sosh të dhuruara së fundi. Gjithsej nga BE-ja, Kosova do të përfitojë 95.000 doza të “Pfizerit”.
Menaxheri i Qendrës së Vaksinimit “1 Tetori”, Niman Bardhi, bëri të ditur se që nga fillimi i vaksinimit më 29 mars janë vaksinuar rreth 28 mijë persona.
Kosova më herët përfitoi edhe 24 mijë vaksina të “Astra Zenecas” përmes programit COVAX, po ashtu falas.
“Deri në këto çaste që ne flasim dhe siç po shihet salla bosh, fatkeqësisht, kemi gjithsej të vaksinuar 160 persona. Ndërsa, nëse i referohemi komplet numrit prej se kemi filluar (me vaksina ‘Pfizer’) më 5 maj e deri në këtë moment, kemi rreth 3.500 persona të vaksinuar”, tha Bardhi.
Ai shton se ekipet mjekësore, ekipi menaxhues dhe Komiteti i Udhëheqjes për Imunizim po tregojnë gatishmëri për vaksinim, por se interesimi i personelit shëndetësor për vaksinim të dielën ishte shumë i ulët. Bardhi pret që situatë e njëjtë të jetë edhe të hënë, që është ditë feste.
Të premten kryeministri Albin Kurti tha se së shpejti pritet kontingjenti tjetër me vaksina.
“Është çështje ditësh kur Qeveria e sjell kontingjentin e radhës të vaksinave, numri i të cilave do të jetë më i madh sesa ato që i kemi marrë së bashku, derisa në fund të majit ose në fund të qershorit do të marrim shumëfishin e tyre”, tha Kurti.
KOHA mëson se të hënën do të vijë kontingjenti i radhës me vaksinat “Pfizer”, donacion i BE-së, kurse të martën priten rreth 30.000 vaksina të llojit “Astra Zeneca” nëpërmjet iniciativës COVAX.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK) ka njoftuar të dielën se në 24 orët e fundit janë shënuar pesë raste të vdekjeve si pasojë e COVID-19 dhe 97 raste pozitive.
Rastet e vdekjeve janë nga Klina (52 vjeç), Prishtina (65 vjeç), Prizreni (76 vjeç), Skënderaj (75 vjeç) dhe Vushtrria (51 vjeç).
Sipas IKSHPK-së, rastet pozitive kanë dalë nga kryerja e 2.112 mostrave të dyshimta për Sars CoV-2.
Me këtë, numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19 nga fillimi i pandemisë është rritur 2.208, kurse i të prekurve në 97.675.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 291 persona, kurse raste aktive mbesin 6.559.