Më shumë se 27 persona janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë.
Kështu ka bërë të ditur, koordinatori i Qendrës së Vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, në një konferencë për media, sipas të cilit, gjatë ditës së premte është parë fluksi më i madh i personave që janë vaksinuar.
“Aktualisht janë të vaksinuar 3,200 profesionistë shëndetësor me vaksinim Pfizer përderisa vetëm në ditën e djeshme kemi pasur 1,133 persona të vaksinuar që mund ta quaj dita më e ngarkuar me fluksin e profesionistëve Nëse i referohemi shifrës totale nga dita e parë kur ka filluar vaksinimi prej 29 mars e deri në këto qaste është mbi 27 mijë të vaksinuar në total përfshirë edhe qytetarë të tjerë”, ka thënë Bardhi.
Kosova deri më tani ka pranuar 24 mijë doza të vaksinës Astra Zeneca nga programi COVAX dhe 4,680 doza të vaksinës Pfizer, donacion nga Bashkimi Evropian. BE-ja ka ndarë gjithsej 95,000 doza të vaksinës Pfizer për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur të premten, se duke filluar nga java e ardhshme do të ketë vazhdimisht kontingjente të vaksinave që do të vijnë në Kosovë, duke mos bërë të ditur se për cilat vaksina bëhet fjalë dhe në çfarë mënyre do të vijnë ato.