Fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijët dhe të rriturit në nevojë dhe në rrezik të mos-përfshirjes, të moshuarit, si dhe për viktimat e dhunës dhe trafikimit, janë në pritje të shërbimeve më të mira sociale. E këtë punë pritet ta bëjnë organizatat jo-qeveritare, përfituese të nën-granteve nga projekti “Mbështetje për shërbime më të mira sociale për grupet më të cenueshme në Kosovë”.
27 organizata që ofrojnë shërbime sociale për grupet e cenueshme kanë përfituar nga këto nën-grante, shuma e të cilave është 1.5 milion euro. E kjo ka ardhur nga projekti të cilin e ka financuar Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar(SIDA).
Derisa po bëhej lansimi i nën-granteve sot në hapësirat e SOS Fshatit, akterët e përfshirë në këtë projekt, folën rreth rëndësisë dhe rolit të nën-granteve në përmirësimin e shërbimeve sociale në të gjithë vendin.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se ministria që ai e drejton, në vazhdimësi është duke mbështetur financiarisht organizatat jo-qeveritare të licencuara, të cilat ofrojnë shërbime sociale dhe familjare.
Megjithatë, sipas tij, mbështetja nuk është e mjaftueshme.
Edhe
Lansohen nën-grantet e BE-së për organizatat që ofrojnë shërbime sociale
“Mbështetja financiare nga Ministria e Punës dhe donatorë të tjerë që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare, është e duhur por jo e mjaftueshme, sepse këto organizata dhe institucione që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare duhet të kenë një burim financiar të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm. Në bashkëpunim me partnerët e tjerë, mbesim të përkushtuar të fuqizojmë dhe të mbështesim propozimet për financimin e qëndrueshëm të shërbimeve sociale në nivel komunal përmes përcaktimit të një formule të qartë të financimit dhe krijimin e një granti specifik për shërbimet sociale”, ka deklaruar ai, raporton KsP.
Ai theksoi se këtë vit kanë ndarë një shumë të mjeteve financiare ku kanë përfituar mbi 20 organizata të tilla.
Ndërsa, shefi i sektorit për Bashkëpunim nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Luigi Brusa tha se do të bëjnë të pamundurën që të ndihmojnë organizatat në implementimin e projekteve.
“Nga këto nën-grante në total do të përfitojnë 3846 persona të ndarë në katër kategori kryesore; janë fëmijët me aftësi të kufizuar, të rriturit në nevojë për shërbime sociale apo që janë në rrezik të përjashtimit social në Kosovë, janë të moshuarit që kanë nevojë për shërbime sociale dhe janë viktimat e dhunës dhe trafikimit në Kosovë. Këto projekte do të implementohen nga 27 organizata jo-qeveritare që ofrojnë shërbime sociale, përzgjedhja e tyre është bërë në bazë të një thirrje të hapur për aplikimet ku rastin për të aplikuar e kanë pasur të gjitha organizatat jo-qeveritare në Kovë që ofrojnë shërbime sociale”, ka thënë ai.
Edhe
Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në zhvillimin në Kosovë
Projekti “Mbështetja për shërbime më të mira sociale për grupe të cenueshme në Kosovë” i financuar nga Bashkimi Evropian po mundëson ofrimin e shërbimeve cilësore dhe esenciale për fëmijët me aftësi të kufizuar, fëmijëve dhe të rriturve në nevojë dhe viktimat e dhunës dhe trafikimit.
Në lansimin e nën-granteve që u bë sot, u tha se qëllimi i projektit është që nga fondi prej 1.5 milion euro të përfitojnë qytetarët që janë në nevojë.