Arbëri

Kurti: Kujtimi për Bahri Fazliun është i pashlyeshëm

Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, bënë homazhe te varri i heroit Bahri Fazliu, në varrezat e dëshmorëve në Velani, në 23- vjetorin e rënies heroike të tij.

Kurti ka thënë se brezat e ardhshëm do të frymëzohen nga jeta dhe vepra e Bahri Fazliut.

“Bahri Fazliu ishte luftëtar edhe para luftës, që punonte për të përgatitur luftën çlirimtare që do të vinte në fund të viteve të ’90-ta. Ishte njeri i pasionuar për dije dhe liri. Ai lexonte, shkruante dhe luftonte me këtë renditje dhe nuk u ndal asnjëherë e nuk ndalet as sot e kësaj dite, sepse shkrimet e tij do të jenë përherë të vlefshme, ndërsa kujtimi për të i pashlyeshëm”, tha kryeministri Kurti.

Konjufca vlerësoi lart veprën e heroit Bahri Fazliu, duke e renditur atë në mesin e intelektualëve dhe patriotëve më të mëdhenj të kombit shqiptar, i cili, siç tha ai, si poet, edhe poezinë e kishte frymëzuese, por edhe veprën dhe jetën e tij.

“Bahriu ishte një intelektual e patriot, çlirimtar e poet i madh i popullit tonë. Ai edhe poezinë e kishte frymëzuese, por gjithashtu edhe jetën dhe veprën e tij. Ne, brezi ynë, gjithmonë jemi frymëzuar nga jeta, veprimtaria, nga shkrimet e shumta të tij në në revistën ‘Çlirimi’. Ai ishte njëri prej themeluesve të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, ndërsa kur erdhi puna, u shqua për kontributin e tij të drejtpërdrejtë dhe të jashtëzakonshëm në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha Konjufca.