Seanca në të cilën, ndër të tjera, është dashur të debatohej për situatën në arsim, këtë të enjte për pak ka kaluar pa konfrontim të hapur fizik mes deputetëve e ministrave. Në debat e sipër, pasi nga salla vendosën të largohen deputetët e PDK-së, ata janë përplasur fillimisht me ministrat e Qeverisë Kurti e pastaj edhe me deputetët e Vetëvendosjes. Reagimi i deputetëve të PDK-së, sipas shefit të tyre, Abelard Tahiri, ka ardhur si rezultat i ofendimeve të marra nga ata të VV-së, akuzë që është mohuar nga këta të fundit
Debati në Kuvendin e Kosovës për pak sa nuk ka përshkallëzuar në përleshje fizike. Derisa nga salla ishin duke u larguar deputetët e PDK-së, Memli Krasniqi është fjalosur me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, gjë e cila ka nxitur reagimin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci. Reagimi i Pecit nuk i pëlqeu Krasniqit, i cili insistonte që hesapet me të t`i qartësonte jashtë sallës së Kuvendit.
Në përkrahje, Krasniqit i dolën bashkëpartiakët, derisa për të qetësuar tensionet mes tyre ka ndërhyrë edhe kryesuesja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Përplasjen verbale me ministrin e Bujqësisë e vazhdoi deputeti Hajdar Beqa. Pas ministrit, Beqa është shtyrë me duar me deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Besim Muzaqi. Në mes tyre ka hyrë Saranda Bogujevci, e cila së bashku me deputetë të tjerë tentonin të shpërndanin turmën e grumbulluar te dyert e sallës.
Largimit të deputetëve të PDK-së nga salla i parapriu largimi i atyre të LDK-së, si shenjë proteste ndaj ndërprerjes së fjalës së shefit të Grupit parlamentar, Arben Gashi, nga kryesuesja Saranda Bogujevci.
Përkundër insistimit të Gashit, Bogujevci fillimisht nuk ia dha fjalën për deklarim atij, derisa kur e mori nuk e lejoi që ta përfundonte. Arsyeja pasi shefi i deputetëve të LDK-së e kritikoi Bogujevcin që nuk është duke e respektuar Rregulloren dhe se më shumë hapësirë për t`u deklaruar po i jep kabinetit qeveritar sesa deputetëve.
Paraprakisht, në fillim të seancës në pikën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, deputetët e PDK-së kritikuan përfaqësimin e ministres së Punëve të Jashtme e deklarimet e saj për Gjykatën Speciale.
Në përgjigjen e saj, ministrja Gërvalla përmendi që Gjykata Speciale është votuar nga vetë deputetët e PDK-së.
“Gjykata Speciale nuk është e instaluar nga Serbia, Gjykata Speciale në Hagë është e instaluar nga ju. Pse është e instaluar nga ju, jo vetëm që nuk e keni luftuar, por nuk keni ndërmarrë asgjë për gjykimin e dënimin e krimeve. Gjykata Speciale nuk ka pikur nga qielli, ju e dini shumë mirë se si është krijuar Gjykata Speciale. Ju, pikërisht ju jeni përgjegjës që prijësit tuaj ndodhen në Hagë”, ka thënë ajo.
Deklarimi i Gërvallës nxiti reagim të ashpër nga deputeti i PDK-së, i cili e krahasoi ministren me ish-ministrin e Serbisë, Iviça Daçiq.
“Sot na e dëshmove që Republika e Serbisë nuk ka nevojë me u marrë me neve se të ka ty. Ajo gjykatë është bërë prej njerëzve sikur ju. Sot nuk ka nevojë me dalë Daçiqi se është Donika Shwarz, se emrin tjetër po me vjen marre me ta përmend. Ti sot më shumë ngjason me ambasadorin e Serbisë sesa si ministre e Punëve të Jashtme. Dil kërkoju falje viktimave, grave të dhunuara për atë që e the. Kjo është turp, është marre për ty. Ti je turpi më i madh”, ka thënë Tahiri, i cili ka shtuar se për deklaratat e bëra Gërvalla do të duhej të shkarkohej nga posti i të parës së diplomacisë.
Përveç për Gjykatën Speciale, PDK-ja ka kërkuar llogari nga Qeveria edhe për çështjen e dialogut me Serbinë.
Shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga kryeministri që të sqarojë parimet në këtë proces e të shpalosë qëndrimin e Qeverisë karshi Marrëveshjes së Washingtonit. Asnjërës prej çështjeve të ngritura nga Tahiri nuk u është përgjigjur kryeministri Albin Kurti, i cili në seancë ka qëndruar vetëm disa minuta.
Qeveria e Kurtit është kritikuar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kërkuar përgjigje nga Qeveria pse ende nuk ka program qeverisës, derisa ka thënë se Qeveria e Kurtit është më e dobëta.
“Në histori të qeverisjeve ju keni mbet qeveria më e dobët, qeveria e cila për 45 ditë nuk keni mujt me sjellë një program. Kjo bie ndesh me atë që keni thënë në fushatë”, ka thënë ai.
Në seancën e së premtes, deputetët është dashur të debatonin për situatën në arsim, por një gjë e tillë është shtyrë pas mosprezencës së PDK-së, që është edhe iniciuese e këtij debati.
Në seancën e së enjtes, deputetët është dashur të debatonin për situatën në arsim, por në mungesë të iniciuesit të këtij debati, ky diskutim është shtyrë për një ditë tjetër. Datën e mbajtjes së tij pritet ta vendosë Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e radhës.