Arbëri

“Pazaret” në drejtësi, Haxhiu e shqetësuar me “grupet e fuqishme” brenda KPK-së dhe KGJK-së

Ky vit dhe fillimi i vitit të ardhshëm pritet të jenë vendimtarë për rrugën që do ta ndjekë sistemi i drejtësisë, pikërisht për shkak të afateve kur duhet të zgjedhën prijësit e institucioneve të drejtësisë. Pozita më e rëndësishme për të cilën do të fillojë gara është ajo për kryeprokurorin e shtetit. Por, këto procese mund të manipulohen shkaku i përbërjes së Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor, që votojnë për këto pozita.

Ende pa filluar gara për pozitat kryesore brenda sistemit prokurorial, por edhe atij gjyqësor, ka filluar diskutimi për emrat që mund t’i zënë këto pozita.

Pa ndryshime ligjore, sipas ekzekutivit e përfaqësuesve nga Shoqëria Civile, zor që mund të caktohen njerëz meritorë me këto institucione.

Pozitat menaxheriale zgjidhen nga anëtarët e Këshillit Prokurorial e Këshilli Gjyqësor. E anëtarët e këtyre këshillave zgjidhen nga këto institucione. Një gjë e tillë ka bërë që emrat e njëjtë të riciklohen herë si pjesë e këshillit, e herë në pozita menaxheriale në krye të prokurorive.

E pyetur për këtë çështje nga KOHA, ministrja Albulena Haxhiu ka shprehur shqetësimin e saj për këto grupe, që, sipas saj, duket se funksionojnë me sistem favoresh.

“Unë jam e shqetësuar me përbërjen e këshillave përkatëse, duket që ka një lloj pazari, përkrahëm t’i mua këtu, unë do të të përkrah ty aty, dhe duhet të rishikohet si të themi përbërja e këshillave përkatëse....Duhet të shohim se si t’i eliminojmë grupet që janë në kuadër të sistemit të drejtësisë, për çka unë jam shumë e shqetësuar, sepse janë instaluar disa grupe tepër të fuqishme brenda institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe të cilët janë futur në pazare për pozicionet e ardhshme, qoftë në këshillat përkatës, qoftë për kryeprokurorin e shtetit, pasi tash po fliten disa emra se kush do të jetë kryeprokuror i shtetit”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu, e pyetur nëse një gjë duhet të bëhet me ndërrim të ligjit, ka deklaruar se besojnë që ashtu duhet të ndodhë.

Televizioni ka kërkuar komente edhe nga Këshilli Prokurorial e edhe ai Gjyqësor për këto deklarata, por ata nuk janë përgjigjur.

Ndërrimi i bazës ligjore që do t’ua pamundësonte njerëzve të njëjtë të ricikloheshin herë në Këshill e herë në pozita ekzekutive, sipas Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, është çështje që do të duhej të ishte prioritare për Ministrinë e Drejtësisë.

Vitin e ardhshëm pritet të zgjidhet kryeprokurori i shtetit, porse gara duhet të hapet në vjeshtën e këtij viti. Kryeprokurori i shtetit zgjidhet nga anëtarët e KPK-së. Lumezi nuk ka të drejtë edhe për një mandat, sepse ligjërisht mandati është i kufizuar në 7 vjet pa të drejtë rizgjedhjeje.

Edhe Gjykata e Prishtinës dhe ajo e Apelit do t’i ndërrojnë kryetarët.